Rajon
Tensionet Kosovë-Serbi/ Stano: BE duhet të ndërmarrë masa shtesë
Bashkimi Evropian mund të shqyrtojë masa shtesë nëse vendet anëtare vlerësojnë se nuk është bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke shtuar se raundi i fundit i dialogut Kosovë-Serbi nuk ka sjellë rezultate.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell e ka bërë të qartë se palët rrezikojnë të mbeten prapa në një situatë kur vendet e tjera të rajonit po përparojnë në rrugën drejt BE-së.
“Përfaqësuesi i Lartë nuk tha nuk ka thënë se dialogu ka dështuar. Ai tha se ky raund i dialogut nuk ka sjellë rezultate, sepse palët nuk kanë arritur të pajtohen dhe ky është skenari që po e kemi përsëri e përsëri kohëve të fundit. Pra, ky është sigurisht një zhvillim shumë domethënës për të parë se palët nuk janë në gjendje të thyejnë dallimet e tyre, por më lejoni të kujtoj një gjë, BE-ja nuk është palë e dialogut, palët e dialogut janë Kosova dhe Serbia, BE-ja është lehtësues i bazuar në dëshirat e shprehura nga të dyja palët, i miratuar nga e gjithë OKB-ja dhe po ashtu, ne jemi duke bërë lehtësim. Me fjalë të tjera, ne po ndihmojmë të dyja palët të kalojnë mosmarrëveshjet e tyre, por nuk do të jemi kurrë të suksesshëm për sa kohë që palët do të refuzojnë të shkojnë në rrugën e kompromisit”, ka thënë Stano.
Stano shtoi se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, informoi shtetet anëtare lidhur me zhvillimet e së enjtes në Bruksel.
“Pra, pas ditës së djeshme, natyrisht, dua të them se jemi në një situatë që sigurisht është serioze, përfaqësuesi i lartë ishte shumë i qartë. Ai tha se Kosova dhe Serbia rrezikojnë të mbeten në një situatë kur të gjithë rreth tyre në rajon po përparojnë në rrugën e anëtarësimit, sepse rruga e anëtarësimit është përmes dialogut në rastin e Serbisë dhe Kosovës dhe rrezikojnë të mbesin prapa. Pra, përfaqësuesi i lartë, përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak, pas këtij raundi të dialogut të nivelit të lartë shkoi në vendet anëtare, informoi shtetet anëtare dhe do të informojë përsëri shtetet anëtare në nivele të ndryshme për atë që ndodhi, për analizën tonë se çfarë ndodhi dhe pse, dhe më pas shtetet anëtare të BE-së do të vendosin se çfarë do të ndodhë më pas në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Por përsëri, BE-ja është lehtësuesi. Ne mund të arrijmë më shumë por vetëm aq sa palët janë të gatshme të pranojnë”, ka thënë ai.
Sipas zëdhënësit të BE-së ende nuk është parë depërshkallëzimi i plotë. Ai tha se janë ndërmarrë hapa të cilat ka mirëpritur BE por sipas tij ka ende të tjerë që nevojiten.
“Nuk e kemi parë ende depërshkallëzimin e plotë, nuk kemi parë hapa kuptimplotë. Janë marrë shumë hapa të cilët ne i mirëpresim, por ka më shumë hapa që duhen, kështu që nuk kemi parë një depërshkallëzim kuptimplotë, përkundrazi ka ende potencial, për fat të keq, për përshkallëzim. Masat e vendosura në këtë rast kundër Kosovës janë masa të cilat janë të përkohshme të miratuara nga shtetet anëtare, sepse të gjithë ranë dakord ‘Në rregull, kështu tani duhet të përdorim jo vetëm karotat, por edhe shkopinjtë’, dhe ato do të jenë në fuqi për sa kohë që shtetet anëtare mendojnë se janë të nevojshme, dhe ne mund t’i zvogëlojmë ato, por mund t’i rrisim gjithashtu, nëse situata e kërkon këtë. Pra, përsëri pas ditës së djeshme jemi në një situatë ku nuk është arritur asnjë përparim, kur nuk kemi parë gatishmëri të palëve për të gjetur kompromisin dhe pikërisht për këtë po informohen shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe kërkoi udhëzime se çfarë të bëjmë më pas në këtë proces me të dyja palët, dhe me të gjitha qasjet dhe masat që kemi në dispozicion”, ka thënë ai.
Derisa komentoi masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, ai theksoi se BE mund të shqyrtojë masa shtesë nëse nuk bëhet mjaftueshëm për shtensionim.
“Në atë kohë ne e kemi vendosur shumë qartë dhe ky është qëndrimi që ka mbetur deri më sot, se ka gjithmonë mundësi të futen masa shtesë për këdo që do të gjendet nga BE-ja, nga kompleksiteti i BE-së, nga kolektivi prej 27 shtetesh anëtare, se nuk po bën mjaftueshëm për uljen e përshkallëzimit, apo po e nxit atë. Pra, në këtë fazë, ne kemi vendosur masat. Përsëri, ato do të ulen nëse shtetet anëtare shohin se janë ndërmarrë hapa kuptimplotë për uljen e përshkallëzimit dhe ato mund të rriten ose të vendosen edhe kundër palës tjetër, nëse pala tjetër gjendet nga kolektivi i 27 shteteve anëtare, dhe kolektivi vlerësimi i shteteve anëtare që nuk favorizojnë depërshkallëzimin, apo nxisin përshkallëzimin. Pra, është një proces, dhe procesi është nën vëzhgimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian, 27 shtete anëtare të Bashkimit Evropian po e shikojnë këtë, nuk janë të kënaqur me këtë, ata kanë pritshmëri krejtësisht të ndryshme, partnerët e dinë për këtë, dhe nëse situata do të vazhdojë kështu, atëherë procesi i këtyre reflektimeve që po ndodh tani do të sjellë përgjigje më specifike edhe për pyetjet tuaja rreth masave të mundshme kufizuese”, ka thënë Stano.
Kujtojmë se të enjten është zhvilluar raundi i radhës i bisedimeve për normalizim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, takim i cili ka përfunduar pa pajtim mes palëve.