Connect with us

Bota

Tensionet në Lindjen e Mesme, Irani pajiset me raketa dhe armatime të sofistikuara

Marina iraniane është pajisur me raketa të reja me rreze veprimi prej rreth 1 mijë kilometrash si dhe helikopterë zbulimi, njoftuan mediat shtetërore të dielën, ndërsa Shtetet e Bashkuara e akuzuan Iranin për një sulm me dron ndaj një anije cisternë në oqeanin Indian.

“Raketa e modelit Talaeiyeh ka një rreze veprimi prej mbi 1000 kilometra dhe përmban teknologji të avancuar që mund ta ndryshojë objektivin në mes të misionit”, citohet të ketë thënë për median shtetërore kreu i marinës iraniane, Shahram Irani.

Helikopterë të zbulimit, dronë dhe raketa të telekomanduara janë ndër armët e reja që ka shtruar në arsenalin e saj ushtria, tha Irani, duke shtuar se këto pajisje janë prodhuar në vend nga industria ushtarake.

Megjithëse analistët ushtarakë perëndimorë thonë se Irani ndonjëherë i ekzagjeron aftësitë e tij, raketat dhe dronët e prodhuar nga Teherani janë një element kyç i armëve iraniane.

 

 

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes tha të shtunën se një dron i lëshuar nga Irani goditi një anije cisternë me lëndë kimike në oqeanin Indian, e cila lundronte nën flamurin liberian.

Incidenti nxjerr në pah rritjen e tensioneve rajonale, çka përbën një rrezik të ri për rrugët e transportit detar pas sulmit të Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit dhe reagimit të armatosur të Izraelit ndaj Gazës.

Irani i mohoi akuzat amerikane se ishte i përfshirë në planifikimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq nga lëvizja Houthi e Jemenit e cila ka lidhje me Teheranin./ VOA

Advertisement