Kosova
Tensionet në veri/ Haradinaj: Osmani duhet të thërrasi urgjentisht Kurtin
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka deklaruar se po të ishte në vend të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do ta thërriste me urgjencë në një takim Kryeministrin Kurti, pas Tweet-it të sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken. Në një intervistë për RTV Dukagjinin, Haradinaj ka deklaruar se ndonëse e kupton situatën, presidentja Osmani tashmë do duhej të kishte një qëndrim lidhur me situatën.
“Unë e kuptoj që nuk e ka lehtë por situata është e ndjeshme. Unë besoj se presidentja, me aq sa mundet, është mirë me marrë qëndrim. Unë nuk jam njëri prej atyre që them “le të prishet koalicioni”… Nëse e kisha parë dje Tweetin që ka shkruar Blinken, në vend të presidentes do e thirrja me urgjencën në takim Kurtin. I kisha mbyllur dyert e do i thosha “çka po bëjmë?”. Nuk mundesh pas atij Tweet me diskutuar gjëra tjera”, tha Haradinaj.
Haradinaj shtoi se Kurti mund t’i bëjë një nder Kosovës duke zbatuar tri pikat që i kërkuan ndërkombëtarët.
“Unë mendoj që Kurti mund t’i bëj ende një nder Kosovës, edhe vetes e edhe LVV-së, të marrë guximin e të thotë: Po, i zbatoj tre pikat ose planin evropian, e zbatoj pikë për pikë dhe në këtë kohë…Nga kjo Kosova fiton, me të plan e fuqizon Kosovën sepse nga ai moment jemi palë kontraktuese”, tha ai.