Kosova
Tensionet në veri/ Komandanti i KFOR: Forca shtesë
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia, ka thënë se forcat paqeruajtëse po monitorojnë nga afër situatën në veri të Kosovës.
Gjenerali Ristuccia, përmes një komunikate, ka thënë se KFOR-i ka aftësi të plotë, duke përfshirë personelin, për të ofruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, kudo në Kosovë, nën mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.
“Që nga tetori, ne kemi përforcuar praninë tonë, duke përfshirë edhe me trupa dhe patrulla shtesë në veri të Kosovës këtë javë”, ka thënë gjenerali Ristuccia, transmeton Telegrafi.
Ai tha se presin që të gjithë aktorët të koordinohen ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga paraqitja provokuese të forcës, për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve.
“Ne i nxisim të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë”.
“KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, ka thënë komandanti i KFOR-i.