Connect with us

Kosova

Tensionet në veri/ Lista serbe kërcënon Kosovën

Disa nga rrugët në veri të Kosovës, vazhdojnë të jenë të bllokuara për të nëntën ditë më radhë, si pasojë e vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë si shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiç.

Pjesëtarë të shumtë të Policisë së Kosovës janë vendosur në veri, për të mbikëqyrur situatën dhe për të siguruar qytetarët në atë pjesë. E situata në veri vazhdon të jetë e njëjte. Gjatë mbrëmjes nuk është raportuar për ndonjë incident e as për vendosje të ndonjë barrikade të re. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, drejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti. Hoti ka thënë shkurt se “situata vazhdon të jetë e njëjtë, ndërkaq nuk ka pasur vendosje të barrikadave të reja”.

Mbrëmë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka darkuar me zyrtarët policorë në Bërnjak. Ministri i Brendshëm po ashtu bëri të ditur se Kosova “ka kapacitete për t’i larguar barrikadat”, pa harruar t’i përmendë partnerët ndërkombëtarë. “Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për ti larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat.”, ka shkruar Sveçla.

Vizita e Sveçles dhe deklarata e tij nuk i ka pëlqyer Listës Serbe. Vizitën e Sveçlës në veri Lista Serbe e ka cilësuar si “provokim të radhës nga Albin Kurti dhe vartësit e tij me qëllim të përshkallëzimit të situatës në terren”. Ky subjekt politik ka kërcënuar institucionet e Kosovës se “do të marrin përgjigjen e popullit serb” nëse tentojnë t’i heqin barrikadat.

 

 

Policia e Kosovës dje ka bërë të ditur se një barrikadë e re ishte vendosur në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan. Kurse tre ditë më parë një tjetër barrikadë ishte vendosur në fshatin Jegenicë të Zubin Potokut. Më 10 dhjetor 2022 pasdite në veri janë dëgjuar alarmet. Pas këtyre alarmeve ka pasur grumbullim të qytetarëve serbë dhe bllokim të rrugëve me barrikada në Rudarë. Policia e Kosovës kishte njoftuar se për shkak të bllokimit të rrugëve ka mbyllur për qarkullimin në pikën kufitare në Jarinjë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin pika të tjera kufitare për të hyrë në Kosovë ose për të dalë nga Kosova.

Më 8 dhjetor 2022, rreth orës 23:00, një veturë e Policisë së Kosovës derisa po patrullonte në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit është sulmuar dhe nga ky sulm ka mbetur i plagosur një zyrtar policor. Më 10 dhjetor 2022, një patrullë e EULEX-it është sulmuar me shok-bombë në veri të Kosovës, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, liderë kosovarë e ndërkombëtar e kanë dënuar sulmin. Më 15 dhjetor, Serbia i është drejtuar KFOR-it me kërkesën për dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovën.

Advertisement