Politike
Tensionet në veri të Kosovës, Begaj bisedë me Osmanin
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidente e Kosovës për të diskutuar çështjen e tensioneve në veri të Kosovës.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Begaj thotë se u informua mbi situatën e tensionuar.
Begaj bën me dije se fokus I bisedës ishte dorëheqja e përfaqësuesve të Listës Serbe në Kosovë nga institucionet shtetërore dhe bllokimin e funksionimit të tyre.
“I shpreha shqetësimin Presidentes Osmani dhe njëkohësisht inkurajova vazhdimin e dialogut mes palëve, duke patur në vëmendje ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe të integritetit territorial të Kosovës të garantuara nga NATO”,, shkruan Begaj në Facebook.
Thirrjes së Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga institucionet e Kosovës i janë përgjigjur sot katër kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposavicit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, të cilët kanë dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen. Në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të komunës veriore po ashtu edhe këshilltarët nga radhët e Listës Serbe kanë vendosur të largohen nga posti. Ish-kryetari i Mitrovicës Veriore, Milan Radojeviç, ka thënë se arsyeja e dorëheqjes së tij është situata aktuale politike e shkaktuar nga lëvizjet e njëanshme të pushtetit në Prishtinë.
Veprimi i zyrtarëve serbë në veri të Kosovës vjen vetëm një ditë pasi
Komandantët e Policisë së Kosovës që i përkasin komunitetit serb, të shtunën hoqën uniformat e tyre. Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse këtë institucion e kanë braktisur edhe rreth 400 oficerë tjerë të komunitetit serb në katër komunat veriore. Dorëheqjen e dhanë edhe zyrtarë të Listës Serbe si dhe udhëheqësit në sistemin gjyqësor.
Ata kanë bërë të ditur se nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Albin Kurtit të tërheqë vendimin për targat dhe të filloi punën për formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe. Në pikën kufitare në Jarinjë, është shtuar numri i pjesëtarëve të misionit EULEX. Aktualisht, situata është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident.
Megjithatë një video që është publikuar në rrjetet sociale ka rritur friken për nxitjen e tensioneve. Në pamjet shihet një automjete me targa ilegale KM dhe disa persona të maskuar të cilët janë të armatosur. “Jemi kthyer, Kosova është Serbi, Krimea është Rusi” dëgjohen personat në video.
Mirëpo videoja nuk mund të konfirmohet nëse është filmuar ditët e fundit apo është xhirim i vjetër i vitit 2014.
Postimi i plotë
Sot zhvillova një bisedë telefonike me homologen Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës.
Gjatë bisedës u informova mbi situatën e tensionuar në Veri të Kosovës dhe kryesisht u ndalëm në dorëheqjen e përfaqësuesve të Listës Serbe në Kosovë nga institucionet shtetërore dhe bllokimin e funksionimit të tyre.
I shpreha shqetësimin Presidentes Osmani dhe njëkohësisht inkurajova vazhdimin e dialogut mes palëve, duke patur në vëmendje ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe të integritetit territorial të Kosovës të garantuara nga NATO.
Mbetet madhor interesi i integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.