Kronike
Tentoi të vidhte me dhunë 3 shtetase të huaja, arrestohet 18-vjeçari në Durrës

Policia e Durrësit ka arrestuar 18-vjeçarin Dorjan Abazi pasi dyshohet se ka tentuar tu vjedhë me dhunë sendet personale, 3 shtetaseve italiane.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës në lagjen nr.13, në qytetin e Durrësit.
Uniformat blu bëjnë me dije se kanë dokumentuar edhe 2 vjedhje të tjera nga Abazi. Sipas njoftimit të policisë më 27 dhe 28 prill i riu ka thyer xhamin e 2 auromjeteve ku ka marrë disa sende personale. Gjatë kontrollit në banesën e 18-vjeçarit Dorjan Abazi, u gjetën dhe u sekuestruan nën cilësinë e provës materiale një sasi municioni luftarak dhe disa sende të dyshuara të vjedhura.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të ndodhura më parë, kanë organizuar punën për zbardhjen e disa vjedhjeve të kryera me dhunë.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Provat”, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë, “Vjedhja”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”, shtetasi:
D. A., 18 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas dyshohet se në orët e para të mëngjesit në lagjen nr.13, Durrës, ka tentuar t’iu vjedhë me dhunë sendet personale, 3 shtetaseve italiane,.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se ky shtetas, më datë 27.04.2025, në lagjen nr. 13, ka thyer xhamin e një automjeti dhe ka marrë disa sende personale, dhe më datë 28.04.2025, ka thyer xhamin e një automjeti dhe ka marrë disa sende personale.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. A., u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni luftarak dhe disa sende të dyshuara të vjedhura”, informoi sot policia.

