Bota
Tentuan grusht shteti ndaj Putinit, ‘Wagner’ merr vendimin e papritur
Shefit të mercenarëve rus, Yevgeny Prigozhin, i është thënë se grupi i tij Wagner që përbëhet nga mercenarë, nuk do të luftojë më në Ukrainë pasi ai refuzoi të nënshkruante kontrata për të vënë mercenarët e tij nën ndikimin e Ministrisë së Mbrojtjes, tha një ligjvënës i lartë të enjten.
Gjeneralkoloneli Andrei Kartapolov, një ligjvënës me ndikim që kryeson komitetin e mbrojtjes të Dhomës së ulët të Parlamentit rus, tha se shkas për kryengritjen e së shtunës ishte mosmarrëveshja e Prigozhinit me një kërkesë nga Ministria e Mbrojtjes që grupi i tij mercenar të nënshkruante kontrata.
“Siç e dini, disa ditë para përpjekjes për kryengritje, Ministria e Mbrojtjes tha se të gjitha formacionet që kryejnë detyra luftarake duhet të nënshkruajnë kontrata me të [Ministrinë e Mbrojtjes]”, deklaroi Kartapolov.
“Të gjithë filluan ta zbatojnë këtë vendim… të gjithë përveç Prigozhinit”, tha ai.
Prigozhini tha më 11 qershor se luftëtarët e tij nuk do të nënshkruajnë asnjë kontratë me ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, duke shtuar se ai nuk ishte në gjendje të menaxhonte njësitë ushtarake, raporton Reuters.
Kartapolov tha se pas refuzimit të Prigozhinit për të nënshkruar kontratat, atij i ishte thënë se mercenarët e tij nuk do të luftojnë më në Ukrainë dhe kështu nuk do të marrin para nga shteti.
Si rezultat, ligjvënësi tha se Prigozhini ka kryer tradhti për shkak të “ambicieve të tepruara”, parave dhe asaj që ai e quajti “gjendje entuziazmi”.
Javën e kaluar grupi privat i mercenarëve, Wagner, u rebelua dhe fillimisht u tha se nisi një marshim të trupave të tij drejt Moskës.
Prigozhini tha se qëllimi i marshimit të trupave të tij drejt Moskës ishte për të shpëtuar kompaninë e tij dhe jo një përpjekje për të rrëzuar Qeverinë ruse.
Tërheqja ndodhi pas ndërhyrjes së presidentit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.
Sipas Kremlinit, Prigozhin ka gjetur strehim në Bjellorusinë fqinje.
Çfarë është Wagner?
Grupi Wagner – i njohur zyrtarisht si PMC Wagner – është ushtri private.
Ajo është identifikuar për herë të parë më 2014, kur ka qenë duke i mbështetur forcat separatiste pro-ruse në lindje të Ukrainës.
Atë kohë, grupi ka qenë sekret, dhe ka vepruar kryesisht në Afrikë dhe Lindje të Mesme, dhe besohet se atëbotë i ka pasur vetëm 5.000 luftëtarë – kryesisht veteranë të regjimenteve elitare të Rusisë dhe forcave speciale.
Që atëherë, grupi është rritur në mënyrë të konsiderueshme.
“Wagner ka shumë mundësi që tani komandon 50.000 luftëtarë në Ukrainë dhe është bërë faktor i rëndësishëm në luftë”, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes, në janar të këtij viti.
Wagner lufton përkrah ushtrisë së rregullt ruse në luftën kundër Ukrainës.
Grupi ka qenë shumë i përfshirë në kapjen e qytetit Bahmut, që gjendet në lindje të Ukrainës.
Trupat ukrainase kanë thënë se numër i madh luftëtarësh është dërguar për të luftuar në ambiente të hapura dhe për pasojë janë vrarë shumë prej tyre. /REL