Kronike
Tentuan vrasje në mes të Tiranës/ Apeli i Posaçëm lë në fuqi dënimin për Gjergj Cukalin

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur sot vendimin për çështjen penale që përfshin Gjergj Cukalin dhe pesë të pandehur të tjerë, të dënuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe për tentativë vrasjeje.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Engert Pëllumbi dhe Igerta Hysi, vendosi të lërë në fuqi vendimin e datës 31 korrik 2024 të Shkallës së Parë, me disa ndryshime për individë të veçantë.
Në një nga pikat kryesore të vendimit, i pandehuri E.J., i cili ka bashkëpunuar me drejtësinë, përfitoi ulje dënimi në bazë të nenit 28/7 të Kodit Penal dhe u dënua përfundimisht me 7 vite burg.
Ndërkohë, i pandehuri B.D. u dënua me 18 vite burg për veprën penale “Vrasja me dashje” në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit A.B. Dënimi i tij u përcaktua si i vetëm në bazë të bashkimit të dënimeve sipas nenit 55 të Kodit Penal.

