Bota
Tërmeti 8.8 ballë në Rusi/ Si ndihmoi teknologjia në reagimin ndaj cunamit në Hawaii të SHBA-së?

Tërmeti me magnitudë 8.8 ballë, një nga më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë goditi lindjen e largët të Rusisë, duke shkaktuar një cunami.
Shteti i Hawaiit, pjesë e Ishujve Aleutian të Alaskës dhe një pjesë e Kalifornisë Veriore u paralajmëruan se do të përfshiheshin nga cunami.
Valët e para të cunamit kanë goditur tashmë Alaskën ndërsa cunami po fillon të godasë edhe Hawaiin. Pjesa tjetër e shteteve perëndimore të SHBA-së po përgatitet për ndikimin e valëve në orët në vijim.
Qendra e Paralajmërimit për Cunam në Paqësor (PTËC) tha se nevojiten veprime urgjente për të mbrojtur jetët dhe pronat nga goditja e cunamit.
Më herët u raportua se bregu i Hawaiit po tërhiqet, duke treguar se valët e cunamit po afrohen. Sipas një raporti nga Brandon Miller i CNN, imazhet e fiksuara nga kamerat e internetit po transmetonin drejtpërdrejt nga ishulli.
Por si i ndihmoi teknologjia në reagimin ndaj cunamit në Hawaii?
Dr. Laura Kong, drejtoreshë e Qendrës Ndërkombëtare të Paralajmërimit për Cunami, teksa ka folur lidhur me situatën tha se përgjigja e Hawaiit ndaj cunamit “shkoi mjaft mirë.
Ajo shpjegon se si teknologjia i lejoi ishullit të dinte se cunami po vinte shumë kohë më parë, duke u dhënë njerëzve më shumë kohë për t’u evakuuar.
Teksa ka folur nga Honolulu, ajo u shpreh për “Sky News” se deri në agim në shtetin ishullor, do të dimë më shumë rreth dëmeve të vërteta që ka pasur.
Laura Kong shton se “u lëshua një paralajmërim, sistemi i sirenave binte çdo orë… të gjithë e dinin se duhej të evakuoheshin”.
“Tani për tani duket se gjithçka shkoi mjaft mirë, por do të duhet ta shohim nesër në mëngjes”, tha ajo.
Paralajmërim për cunami
E pyetur se kur do të ulet niveli i paralajmërimit për cunami, ajo u shpreh se “do të shqyrtojmë nivelet e ujit në matës të ndryshëm të baticës në të gjithë shtetin dhe do ta vazhdojmë paralajmërimin derisa nivelet të bien nën 0.3 metra ose rreth një këmbë”.
Kong shpjegon gjithashtu se si është përmirësuar teknologjia për të lejuar sisteme më të mira paralajmëruese të hershme.
“Njëzet vjet më parë, 25 vjet më parë… kishte shumë pak instrumente për të marrë të dhëna në kohë reale. Ne gjithashtu nuk kishim një sistem paralajmërimi në Oqeanin Indian. Sot kemi bërë një rrugë të gjatë”, tha drejtoresha e Qendrës Ndërkombëtare të Paralajmërimit për Cunami.
Sipas saj, në vend të disa dhjetëra stacioneve që raportojnë, ne kemi qindra, nëse jo mijëra, në të gjithë botën.
Çfarë ndodhi?
Një tërmet me magnitudë 8.8 ballë, një nga më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë goditi lindjen e largët të Rusisë, duke shkaktuar një cunami.
Tërmeti i fuqishëm deri më tani ka shkaktuar cunami në Rusi, Japoni, Alaska, Hawaii, Kaliforni dhe shtete të tjera të SHBA-së, ndërsa paralajmërime janë lëshuar edhe për vende si: Kili, Kosta Rika, Polinezia Franceze dhe Kina.
Në qytetin rus Severo-Kurilsk, në pjesën veriore të Ishujve Kuril, valët e cunamit arritën më shumë se 3 metra, me valën më të fortë që arriti në 5 metra. Ujërat e përmbytjes mbuluan disa ndërtesa dhe në zonë u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Zonat bregdetare në Japoni janë evakuuar dhe janë regjistruar valë deri në 1.3 metra.
Cunami ka arritur tashmë në Alaska, Hawaii, Kaliforni, Oregon dhe Uashington.

