Connect with us

Aktualitet

Tërmeti tragjik në Turqi e Siri, qytetarët në gjithë Shqipërinë ndezin qirinj

Qytetarët në të gjithë vendin janë bërë bashkë në sheshet kryesore dhe kanë ndezur qirinj në nder të viktimave të tërmetit në Turqi e Siri. Vendi ynë ishte ditën e sotme në zi kombëtare, ndërkohë që qirinj janë ndezur në Elbasan, Korçë, Shkodër, Kukës, madje ka qenë edhe vetë kryeministri Edi Rama ka ndezur një qiri në kryeministri.

Pas thirrjes së bashkisë Elbasan për të ndezur qirinj në qendër të qytetit kanë qenë të shumtë ata qytetarë që i janë bashkuar thirrjes në nderim të jetëve të humbura. Me këtë rast në ditën e zisë kombëtare, drejtues të institucioneve lokale, nëpunës të administratës shtetërore dhe qytetar, ndezën  qirinj dhe mbajtën 1 minutë  heshtje në përkujtim dhe nderim të viktimave.

Në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe, stafi i Universitetit “Fan S. Noli” pedagogë e studentë në bashkëpunim edhe me stafin e Prefekturës Korçë kanë ndezur qirinj në respekt të jetëve të humbura në Turqi e Siri.

Këtij solidarizimi i janë bashkuar edhe banorët të Shkodrës të cilët ndezën qirinj në nder të viktimave. Qytetare te shumte, anëtarë të këshillit bashkiak, Prefektja e qarkut, kreu i këshillit te qarkut si dhe deputeti Benet Beci kanë ndezur qirinj si dhe kanë kontribuar edhe në vlera monetare në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti.

Bashkia Kukës, në ditën e zisë kombëtare, organizoi ndezjen e qirinjve në sheshin qendror të qytetit. Prefekti i Qarkut Ali Hallaci, Kryetari i Bashkisë Safet Gjici dhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Abdulla Domi së bashku me qytetarët ndezën nga një qiri në në shenjë dhimbjeje njerëzore dhe lutje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në Turqi dhe Siri. Qirinjtw u ndezën edhe ne institucionet shtetërore dhe arsimore.

Ndërkohë me qindra pako janë mbledhur nga qytetarët kuksianë, në ndihmë të popullit turk e sirian, pas tërmetit tragjik të 6 shkurtit. Ndihma e qytetarëve kuksianë, konsiston në ato më emergjente.

Advertisement