Connect with us

Bota

Tërmeti tragjik në Turqi e Siri, thellohet bilanci i viktimave mbi 34 mijë të vdekur

Sot, një javë nga tërmeti raportohet një rritje e numrit të viktimave pasi sipas rapotimeve të deritanishme janë mbi 34,179 viktima në të gjithë Turqinë dhe Sirinë. Numri i të vdekurve në Turqi ka arritur në  29,605, ndërsa numri i konfirmuar i vdekjeve në Siri është  4,574 . Ky numër përfshin më shumë se 3,160 në pjesët e kontrolluara nga opozita të Sirisë veriperëndimore, sipas ministrisë së shëndetësisë të autoritetit qeverisës të Qeverisë së Shpëtimit. Trazirat në Turqinë jugore kanë ndërprerë përpjekjet e shpëtimit në disa vende. Ekipet austriake dhe ato gjermane ndërprenë operacionet e kërkim shpëtimit, për shkak të përleshjeve midis grupeve të paidentifikuara. Presidenti i Turqisë tha se do të përdorte fuqitë emergjente për të ndëshkuar këdo që shkel ligjin. Një zëdhënës i ushtrisë austriake tha se përleshjet midis grupeve të paidentifikuara në provincën Hatay kishin lënë dhjetëra personel nga Njësia e Ndihmës ndaj Fatkeqësive të Forcave Austriake që kërkonin strehim në një kamp bazë me organizata të tjera ndërkombëtare. Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka premtuar të forcojë ndihmën për Turqinë ndërsa vendi po përballet me pasojat e tërmetit shkatërrues të së hënës së kaluar. Në një telefonatë të dielën, Von der Leyen i tha presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan se “Komisioni do të mobilizojë mbështetje shtesë dhe do t’i përgjigjet kërkesës së fundit të Turqisë për më shumë kapacitet strehimi – në veçanti tenda, batanije, ngrohës”, sipas një leximi të thirrjes nga BE. BE shpreson të mbledhë fonde shtesë për Turqinë dhe Sirinë gjatë një konference donatorësh që do të mbahet në Bruksel në mars.

Advertisement