Shkrime
Terreni është gati për rikthim në vitet nëntëdhjetë në Ballkan
Nga Angjela Krstoviç
Erë e hidhur e të djathtës ekstreme, argumenta te pakuptimta, përçarje dhe nxitje për tensione e veprime të shëmtuara dhe drastike, gjithçka është kthyer në Ballkan. Nacionalistët po marrin sërish pushtetin në Maqedoninë e Veriut, në Kroaci dikush po kërkon një qeveri pa serb dhe e ka bërë atë, në Serbi po shpalosin thirrje për Xi Jinping kurse në Bosnje dhe Hercegovinë dikush po i frikëson njerëzit me një luftë të re. Duket se skena ballkanike është vendosur për një rikthim në vitet 90.
Qytetarët e zemëruar, të hidhëruar dhe të dëshpëruar të Maqedonisë së Veriut votuan për ndryshim në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale. Të lodhur nga cilësia e dobët e jetës, inflacioni, kërcimet e çmimeve, ata zgjodhën opsionin e vetëm përveç qeverisë aktuale – opozitën e djathtë.
Gordana Siljanovska Davkova u bë presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, ndonëse, sipas asaj që kishte deklaruar, ajo nuk ishte pro ndryshimit të emrit të vendit. Kryeministër i ri me shumë gjasa do të jetë Hristijan Mickoski, pas fitores bindëse të partisë VMRO-DPMNE. Duket se kjo do të jetë një qeveri e qëndrueshme në nacionalizmin e saj.
Qytetarët kërkojnë urgjentisht ndryshime. Ata nuk po jetojnë ashtu siç u premtuan pas Marrëveshjes së Prespës. Hynë në NATO, por çfarë do të thotë kjo për dikë që punon dy punë për të siguruar mbijetesën e familjes së tij, ndërkohë që korrupsioni lulëzon dhe shteti merr pjesë në të.
Nga BE-ja vijnë mesazhe gjenerike si “presim që vendi të qëndrojë në kursin europian”, por është në baltë që nga viti 2003. Prej më shumë se 20 vitesh lojëra të pista politike dhe mashtrime të njerëzve. Tani atyre u kërkohet të ndryshojnë gjuhën, historinë dhe edhe një herë – Kushtetutën.
Ndërkohë, Kroacia një vend që është anëtar i BE-së dhe është krenar për të (dhe duhet), formon një qeveri që ndoshta do t’i pëlqente Franjo Tuxhmanit. Andrej Plenkoviç nuk kishte shumë opsione pas zgjedhjeve të 17 prillit, por gjithsesi arriti të marrë më të keqen nga opsionet e ofruara. Lëvizja e ekstremit të djathtë për Atdheun (PD), e cila tani drejtohet nga kryetari i bashkisë së Vukovarit, Ivan Penava, hyri në qeveri.
Gjatë kësaj kohe në Serbi po vazhdonin përgatitjet për ardhjen e “mikut”. Xi Jinping i çeliktë zbarkoi në aeroportin e Beogradit dhe ndërpreu transmetimin e Eurovizionit. Nuk është hera e parë, dhe sigurisht jo hera e fundit, që autoritetet serbe kanë zgjedhur Kinën në vend të Evropës, Lindjen në vend të Perëndimit.
Kjo praktikë është kultivuar për më shumë se një dekadë. Nga përqafimi i ngushtë i Emmanuel Macron dhe dhomave të tij të fshehta, presidenti serb Aleksandar Vuçiç i shkeli syrin Xi Jinping-ut dhe Vladimir Putin-it me një buzëqeshje, duke i premtuar se takimi në Paris, nuk do të thotë asgjë për të. Pas shpatullave te Macron dhe Scholz, ai u thotë miqve të tij lindorë se Serbia u është përkushtuar atyre dhe se ai po flirton me Brukselin sepse rrethanat e kërkojnë këtë. Portofoli ynë mund të jetë në Bruksel, por zemra dhe shpirti ynë janë në Pekin dhe Moskë.
Nga ana tjetër, vallëzimi i koordinuar i Aleksandër Vuçiçit dhe Albin Kurtit ka Çuar në një situatë që serbët e cilësojnë si “asnjëherë më keq”.
Kurti, i habitur nga raporti i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut, arriti të përçajë shqiptarët në Kosovë, në vetë Shqipërinë dhe në Maqedoninë e Veriut. Veç kësaj, lëvizjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re nga komuniteti ndërkombëtar, i cili duket se po humbet durimin, si dhe mënyrat për ta kontrolluar atë.
Shqiptarët e akuzojnë se punon për serbët, serbët akuzojnë Aleksandër Vuçiçin se punon për shqiptarët. Të dyja tezat janë gabim. Kurti dhe Vuçiç punojnë vetëm për vete, edhe nëse kjo do të thotë se serbët dhe shqiptarët po vdesin në unazën e zjarrit – Beogradi dhe Prishtina zyrtare nuk do të derdhin lot për ta. Një popull i frikësuar, i braktisur dhe i uritur është më i lehtë për të sunduar.
Sikur të mos mjaftonte kërcitja e armëve në Kosovë, tinguj të ngjashëm frike të njerëzve po vijnë nga Bosnja dhe Hercegovina, më saktë nga Republika Srpska e Milorad Dodik, I cili po kërcënon me shkëputje nga Bosnje Hercegovina.
Diku, qëndron Mali i Zi – vendi më i vogël ballkanik, një vend që lufton me trashëgiminë e Milo Gjukanoviçit, ndërsa tani mendon nëse mund ta arrestojë atë.
Një vend ku qeveritë shpesh bien, por kjo është më mirë se një njeri të qeverisë për 30 vjet. Një vend që arreston rregullisht policë, gjyqtarë, prokurorë si pjesë e klaneve kriminale, teksa po lufton për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian.