Kronike
“Territor i pastër”, asgjësohen 700 rrënjë kanabis në Krujë
Vazhdon megaoperacioni anti kanabis i koduar “Territor i Pastër” në Krujë.
Gjatë fazës së 14-të të operacionit policia ka gjetur dhe asgjesuar 700 bimë kanabisi. Bimët narkotike u lokalizuan në zona të pyllëzuara të 2 fshatrave të Krujës dhe të malit të Bruzit.
Nuk ka ende asnjë gjurmë nga kultivuesit.
Si rezultat i fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, janë asgjësuar në total 7753 bimë narkotike cannabis sativa.
Njoftimi policise
Krujë/Vijon kontrolli i zonave të pyllëzuara të rrethit, kundër kultivimit të bimëve narkotike cannabis sativa. Finalizohet faza e 14-të e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”.
Asgjësohen nëpërmjet djegies, 700 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në zona të pyllëzuara të 2 fshatrave të Krujës dhe të malit të Bruzit.
Si rezultat i fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, janë asgjësuar në total 7753 bimë narkotike cannabis sativa.
Skuadra të posaçme policore, të përbëra nga efektivë të Komisariatit të Policisë Krujë dhe të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, kanë vijuar kontrollet në zonat malore të rrethit, të asistuar dhe nga dronë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Nga këto kontrolle, gjatë fazës së 14-të të megaoperacionit “Territor i pastër”, në territoret e fshatrave Cudhi Kamp dhe Kroi i Madh, si dhe në malin e Bruzit, Krujë, u gjetën në total, të kultivuara në tokë, 700 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Një pjesë e vogël e bimëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies. Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për përcaktimin e autorësisë së kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.