Aktualitet
Terror në aeroport/ Raportohet për të shtëna me armë zjarri, plumba afër kabinës së pilotit
Një plumb goditi trupin e një avioni të Southwest Airlines, i cili po përgatitej për nisje nga një aeroport në Dallas të Teksasit, duke bërë që fluturimi i së premtes mbrëma (15 Nëntor 2024) të anulohej, njoftoi kompania ajrore.
Nuk pati të lënduar, dhe policia u kontaktua pasi plumbi goditi anën e djathtë të avionit, poshtë kabinës së pilotit. Në atë moment, ekuipazhi i fluturimit 2494 po përgatiste avionin për nisje nga Aeroporti Love Field në Dallas, deklaroi Southwest.
Avioni Boeing 737-800 u “godit nga një plumb pranë kabinës” rreth orës 20:30, ndërsa po lëvizte në pistë përpara fluturimit për në Aeroportin Ndërkombëtar të Indianapolisit. Avioni u kthye në portën e nisjes dhe pasagjerët u larguan, sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA).
Avioni u nxor nga shërbimi, ndërsa kompania njoftoi se do të siguronte një fluturim tjetër për pasagjerët.
Aeroporti Love Field në Dallas bëri të ditur në një postim në rrjetet sociale se Departamenti i Policisë së Dallasit reagoi dhe pista 13R/31L u mbyll përkohësisht, por u rihap më vonë atë natë, duke pasur “ndikim minimal” në funksionimin e aeroportit.