Aktualitet
Testamenti i Kryepeshkopit Janullatos! Amaneti: Përfundoni katedralen

Këtë të shtunë në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë u mbajt përkujtimorja dyzetëditore për Kryepeshkopin e ndjerë Anastas Janullatos. Në katedrale u mblodh një numër i madh klerikësh, përfaqësues të instuticioneve fetare, arsimore dhe të Kryepeshkopatës. Peshkopi i Krujës, gjatë Liturgjisë Hyjnore lexoi publikisht testamentin e kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Në testament, Janullatos ia ka lënë Kishës Autoqefale depozitat e tij financiare. Ai ka kërkuar në testament që gjysma e shumave të lëna të përdoret për përfundimin e ndërtimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Kryepeshkopi ka përcaktuar se ekzekutuesi i testamentit do të jetë pasuesi i tij.
“Falenderoj Kishën e Shqipërisë për dashurinë dhe përkushtimin e tyre të përzemërt. Nuk ka as pasuri të luajtshme, as të paluajtshme; çdo gjë që është fituar ndër vite është vënë në shërbim të veprave të dashurisë. Depozitat e mia financiare si kryepeshkop i përkasin Kishës së Shqipërisë. I lutem ekzekutuesve të testamentit tim që gjysma e shumës së këtyre depozitave të përdoret për përfundimin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Ndërsa gjysma tjetër të ruhet dhe të përdoret në mënyrë të përshtatshme, duke siguruar që të ardhurat nga këto investime të përdoren në mbështetje të pagave të klerikëve dhe për zhvillimin e programeve rinore të Kishës së Shqipërisë. Të drejtat e autorit nga shitja e librave të mi të depozitohen në Qendrën Ndërortodokse. Ekzekutues të këtij testamenti caktoj kryepeshkopin që do të më pasojë. Ato pak sende që kam përdorur t’u ndahen bashkëpunëtorëve të mi të përzgjedhur. Librat e mi të dorëzohen Bibliotekës Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”. I fal të gjithë ata që e bënë udhëtimin tim më të vështirë e të mundimshëm”,- thuhet në testamentin e tij.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë ku ishte i shtruar prej 3 janarit. Janullatos lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në Pire të Greqisë dhe prej vitit 1992 ai ishte Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërsa më 22 dhjetor të vitit 2017, atij iu dha shtetësia shqiptare nga ish-presidenti Ilir Meta. Janullatos njihet si një person i lidhur me rilindjen e besimit Orthodoks, pasi praktikimi i fesë ishte i ndaluar me ligj prej viteve 1967-1991.

