Connect with us

Kosova

‘Tetë shqiptarë largohen nga Izraeli’, reagon Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës

Tetë shtetas të Kosovës, që kanë kërkuar ndihmë në Ambasadën e Kosovës në Jerusalem, janë larguar nga territori i Izraelit, tha Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

“Ndërkohë, në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’i ofruar zgjidhje. Të lajmëruarit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”, tha MPJD.

Sipas MPJD-së, nga informacionet e deritanishme nuk raportohet se ndonjë shtetas i Kosovës është vrarë apo plagosur gjatë përleshjeve që po vazhdojnë mes forcave izraelite dhe militantëve palestinezë të Hamasit. Militantët e Hamasit nisën një sulm të befasishëm më 7 tetor ndaj Izraelit. Ky i fundit u kundërpërgjigj me sulme ajrore në Rripin e Gazës.

Deri më tani është raportuar se mbi 700 persona në Izrael janë vrarë, ndërkaq në Gaza është raportuar për të paktën 560 viktima. Një ditë më herët, autoritetet në Shqipëri bënë të ditur se 40 shqiptarë, në mesin e tyre dy shtetas të Kosovës, u evakuuan nga Izraeli. MPJD u bëri thirrje shtetasve të Kosovës që kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë në numrin emergjent të Ambasadës së Kosovës në Izrael: +9720586340450./REL

Advertisement