Connect with us

Kosova

“Thaçi t’i çojë evropianët në gjyq në Amerikë!”

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Misione Speciale, Richard Grenell, ka kritikuar ashpër sistemin evropian të drejtësisë, duke theksuar se shpreson që një ditë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të ndërmarrë veprime ligjore në një gjykatë amerikane pas përfundimit të procesit gjyqësor në Hagë të Holandës.

Grenelli e ka quajtur “brutal dhe arkaik” sistemin evropian të drejtësisë, duke vlerësuar se Gjykata Speciale është e kontrolluar nga “elitat” e Evropës. Ai ka kritikuar evropianët veçanërisht faktin se ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës vazhdon të jetë në paraburgim qe pesë vjet, pa një vendim përfundimtar gjyqësor.

“Ka shumë arsye pse Evropa është duke dështuar – një shembull është numri i madh i politikanëve evropianë që heshtin pavarësisht faktit se Haga ka mbajtur në burg një kryetar shteti për pesë vjet pa gjyq. Ky është një sistem brutal dhe arkaik i kontrolluar nga elitat. Kjo nuk është drejtësi. Dhe askush nuk duhet të marrë sugjerime juridike nga evropianët – kurrë. Shpresoj që Thaçi t’i padisë të gjithë ata në Hagë në një gjykatë amerikane kur të dalë – tek e fundit, janë paratë e taksapaguesve amerikanë”.

Grenelli ka shprehur vazhdimisht pakënaqësi ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar si institucion politik që ka dëmtuar procesin e paqes në Ballkanin Perëndimor. Ai ka konsideruar në disa raste se veprimet e kësaj gjykate kanë minuar përpjekjet e administratës Trump për të arritur një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, mijëra qytetarë kanë protestuar në Prishtinë, Tiranë dhe Hagë kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kundër të cilëve është duke vazhduar procesi gjyqësor për krime të pretenduara lufte. Një protestë tjetër është thirrur për 19 nëntor para selisë së Këshillit të Europës në Strasburg.

Advertisement