Bota
The Economist: Bota shumë pranë luftës bërthamore
Rënia spektakolare e ushtrisë së Vladimir Putinit në provincën Kharkiv ka ringjallur shqetësimet se Rusia mund të përdorë armët bërthamore. Rose Gottemoeller, ish-zëvendësekretare e përgjithshme e NATO-s, ka deklaruar për prestigjozen ‘The Economist’, se ‘frika tani qëndron në enigmën se si do të kundërpërgjigjet Rusia’, dhe mënyra e paditur, ‘a do të përfshijë armë të shkatërrimit në masë’.
Ajo tha se nuk ishte e shqetësuar për raketat balistike ndërkontinentale të Rusisë, të cilat mund të kalojnë oqeanet dhe të shkatërrojnë qytete, por nga të ashtuquajtura armë taktike bërthamore të cilat mund të shkatërrojnë shumicën e objektivave, përveç posteve komanduese dhe bunkerëve.
Në çdo rast, Rusia ka treguar shumë pak aftësi për të lokalizuar dhe goditur objektivat në lëvizje. Shumë besojnë se Rusia do t’i përdorte ato për përfitime në fushën e betejës sesa si një mënyrë për të kërcënuar.
Megjithatë, ekzsiton mundësia që Putin të identifikojë mbijetesën e regjimit të tij me atë të shtetit dhe ta cilësojë humbjen në Ukrainë si një çështje ekzistenciale. Nëse ushtria ruse do të shkatërrohej në Ukrainën jugore në një shkallë të tillë që forcat ukrainase të kërcënonin të rimarrën Krimenë, kjo gjithashtu mund ta detyrojë Putinin të ndërmarrë rreziqe më të mëdha.
Një sulm taktik bërthamor në një bazë ukrainase ose mbi Detin e Zi do të ishte një moment themelor, përdorimi i parë i armëve bërthamore që nga viti 1945 por nuk do të ndalonte domosdoshmërisht ofensivën e Ukrainës.
Por çdo vendim për të thyer tabunë e armëve bërthamore do të rrezikonte gjithashtu marrëdhëniet e Rusisë me vendet mike ose të paangazhuara, si Kina dhe India.
Tre janë zyrtarë që mbajnë kodet e çantës bërthamore: Putin, Sergei Shoigu (ministri i tij i mbrojtjes) dhe gjenerali Valeriy Gerasimov (shef i shtabit të përgjithshëm). Disa burime thonë se dy nga tre duhet të dërgojnë një kod që një porosi të jetë e vlefshme.
Disa argumentojnë se rreziqet janë aq të mëdha sa që Perëndimi duhet të përpiqet të negociojë me qeverinë e Ukrainës përpara se situata të dalë jashtë kontrollit. Të tjerë shprehen se ekzagjerimi për rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore është në dobi të Putinit, duke penguar Perëndimin të dërgojë armët më të avancuara dhe duke kufizuar Ukrainën që të çlirojë të gjithë territorin e saj.
Në të vërtetë, i vetmi person që mund të dijë çdo gjë në lidhje me situatën është Vladimir Putin.