Shkrime
The Economist: Rusia po rrit forcat ushtarake duke shkaktuar frikë te fqinjët

Egert Belitsev, kreu i forcës kufitare të Estonisë, e quan atë skaji i botës së lirë. Midis mureve të jashtme të kështjellës Hermann në qytetin estonez Narva, dhe mureve të kalasë Ivangorod në Rusi, ndodhet një urë.
Poshtë saj, shtrihet lumi Narva, i fryrë nga shkrirja e dëborës. Në anën ruse përballë Estonisë janë ngritur dy ekrane gjigante që kishin transmetuar paradën e 9 majit në Sheshin e Kuq, për të përkujtuar fitoren në Luftën e Dytë Botërore. Tingujt e daulleve dhe imazhet e ushtarëve rusë mund të shkaktojnë ankth në Estoni, e cila u aneksua në vitin 1940 nga Stalini dhe u pushtua nga Bashkimi Sovjetik nga viti 1944 deri në 1991. Provokimet e rusëve në këtë zonë janë të vazhdueshme. Rusia ka bllokuar sinjalet GPS në të gjithë rajonin duke ndërprerë trafikun ajror dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.
Vitin e kaluar, rojet kufitare ruse hoqën vozat në lumin Narva, që shënjonin ndarjen e kufirit. Avionët mbikëqyrës duken rregullisht në qiell. Edhe më shqetësuese janë pamjet satelitore. Pavarësisht se bazat ushtarake ruse pranë kufijve me Estoninë dhe Finlandën janë pothuajse bosh, sepse trupat dhe pajisjet janë dërguar në Ukrainë, kohët e fundit ato po ngrihen sërish.
Në teori, Rusia ka plane të mëdha. Ajo synon të zgjerojë forcat e armatosura në 1.5 milionë trupa aktive, nga rreth 1.3 milionë në shtator. Në vitin 2023, njoftoi krijimin e një formacioni të ri ushtarak, Korpusin e 44-t, në qytetin Karelia, përgjatë kufirit me Finlandën. Njësitë e para të Korpusit të 44-t u shkatërruan në Ukrainë vitin e kaluar.
Rusia po zgjeron edhe disa brigada në divizione më të mëdha. Për këtë do të nevojiten vite. Por nëse ka sukses, vendi do të arrijë të rrisë trupat ushtarake, pajisjet dhe armët në frontin perëndimor, me rreth 30-50%.
“Gjatë vitit 2024, – vuri në dukje shërbimi i inteligjencës daneze, riarmatimi i Rusisë ndryshoi në natyrë – duke kaluar nga rindërtimi, drejt një forcimi ushtarak të theksuar”. Qëllimi i tyre është të jenë në gjendje “të luftojnë në kushte të barabarta me forcat e NATO-s”.
Disa argumentojnë se Rusia do të sulmojë herët a vonë. “Lufta është thjesht çështje kohe”, tha Kaja Kallas vitin e kaluar, kur ishte kryeministre e Estonisë (tani ajo është shefja e politikës së jashtme të BE-së).
Në mars, presidenti francez Emmanuel Macron, vuri në dukje se Rusia po riarmatosej në mënyrë të rrezikshme. “Sa i besueshëm është pretendimi”, pyeti ai, “se Rusia e sotme do të ndalet në Ukrainë?”
Të tjerë janë skeptikë se ambiciet ruse shtrihen përtej lumit Dnieper. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez u tall me idenë e një lufte të madhe:
“Nuk ekziston kërcënimi që Rusia t’i sjellë trupat në Pireneje”. Steve Witkoff, i dërguari i Donald Trump për bisedimet e paqes me Rusinë, kur u pyet nëse Rusia kishte ndër mend të “marshonte nëpër Europë”, u përgjigj thjesht: “100% jo”.
Analistët e inteligjencës i përcaktojnë kërcënimet duke u mbështetur në dy elemente: qëllimi dhe aftësia. Tani për tani, asnjë shërbim i inteligjencës në botë nuk ka prova se Rusia po planifikon të sulmojë NATO-n.
Por qëllimet mund të ndryshojnë. Në fjalimet publike, Vladimir Putin e ka justifikuar pushtimin e Ukrainës në disa mënyra: nevojën për të mbrojtur rusishtfolësit në Donbas; “çmilitarizimin” dhe “denazifikimin” e Ukrainës; dhe nevojën për të mbajtur larg NATO-n gjoja armiqësor.
Në shkurt 2022, në prag të luftës, Putini fajësoi Leninin se kishte copëtuar perandorinë ruse, duke vënë në dyshim, jo vetëm sovranitetin e shteteve ish-sovjetike si Ukraina, por edhe të atyre si Finlanda, që dikur kanë qenë pjesë e perandorisë ruse.
Megjithatë, për Putinin, arsyeja e vërtetë e luftës mund të mos ketë lidhje me kërcënimet e jashtme, por me përpjekjet për të legjitimuar pushtetin.
Gjatë 25 viteve në pushtet, ai ka kryer pesë luftëra. Çdonjëra prej tyre ka filluar në një kohë kur popullariteti i tij ka filluar të bjerë dhe ka përfunduar me forcimin e autoritetit të presidentit.
Në fillim të luftës, pak rusë u besonin pretendimeve të Kremlinit se Rusia po kërcënohej nga Perëndimi.
Tani kjo ide është bërë më e pranuar. Një arsye është sepse propaganda e Putinit u përforcua nga disa akuza perëndimore që fajësonin të gjithë rusët për luftën. Kjo i ka armiqësuar edhe ata rusë që në fillim mbështesnin Ukrainën dhe Perëndimin.
Mbledhja rreth flamurit
Edhe pse shumica e rusëve duan që lufta të përfundojë, atyre u pëlqen fakti se lufta po rrit ndikimin ndërkombëtar të vendit, sipas një sondazhi të përbashkët të kryer nga Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale dhe Qendra Levada në Moskë.
Në të kaluarën, 60% e rusëve shihnin si përparësi nivelin e jetesës në vend të statusit të vendit si fuqi e madhe. Sot, 55% e rusëve shohin si përparësi fuqinë e vendit mbi nivelin e jetesës. Por, pas tre vitesh luftë, ekonomia e Rusisë po rrëshqet drejt stanjacionit dhe inflacioni mbetet mbi 10% pavarësisht se banka qendrore e mbajti normën bazë të interesit në 21%.
Ndonjëherë është aftësia ajo që formon qëllimet. Në një intervistë të fundit, Putini tha se lufta në Ukrainë është kulmi i një ballafaqimi të gjatë me Perëndimin. Pasi rrëmbeu Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, ai u ndal, jo sepse i mungonte vullneti për të rrëmbyer më shumë territor, por sepse i mungonin mjetet.
“Në vitin 2014, vendi nuk ishte i përgatitur për një përballje kokë më kokë me të gjithë Perëndimin”.
Megjithatë, dëshira e Putinit për luftë dhe aftësia e tij për ta bërë atë janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Trupat ruse në Ukrainë kanë kaluar nëntë muaj të pasuksesshëm duke sulmuar Pokrovskin, një qytet që para lufte kishte 70,000 banorë. Në këtë zonë, ushtria ruse ka pësuar çdo ditë më shumë se 1,000 të vdekur dhe të plagosur.
Ajo nuk është e aftë të bëjë manovra të ndërlikuara ushtarake dhe po pëson gjithnjë e më shumë humbje. Forca e saj ajrore rrallëherë hyn në Ukrainë duke parapëlqyer të hedhë bomba nga një largësi e sigurt.
Për sa kohë që lufta në Ukrainë vazhdon, Rusia nuk do të ketë forca tokësore rezervë për të qenë një kërcënim serioz për NATO-n.
Por edhe nëse nënshkruhet një armëpushim, Rusia mund ta ketë të vështirë të zhvendosë një numër të madh trupash, sepse kjo mund t’i lejojë Ukrainës të rimarrë territorin e humbur, vëren analisti Konrad Muzyka.
Prandaj, Rusisë do t’i duhej të ndërtonte forca të reja ushtarake. Agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë vlerësuar se sa kohë mund të zgjasë ky proces. Parashikimet e tyre ndryshojnë. Amerika mendon se Rusia mund të rindërtojë ushtrinë “gjatë dekadës së ardhshme”. Inteligjenca norvegjeze llogarit pesë deri në dhjetë vjet.
Ukraina parashikon pesë deri në shtatë vjet, ndërsa Gjermania pesë deri në tetë. Shërbimet e inteligjencës estoneze parashikojnë një afat prej tre deri në pesë vjetësh derisa Rusia të ndërtojë formacione të reja ushtarake, në varësi të rrjedhës së luftës, ekonomisë ruse dhe faktit nëse sanksionet do të mbeten në fuqi.
Këto afate varen nga një sërë faktorësh. Rusia po prodhon municione me shpejtësi të jashtëzakonshme, më shumë se 1400 raketa balistike Iskander dhe 500 raketa lundrimi Kh-101 në vit, sipas vlerësimeve të Ukrainës dhe një raporti të fundit nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), një institut kërkimor në Londër.
Por në fusha të tjera, normat e prodhimit janë të ngadalta. Vetëm 10-15% e 1500-2000 tankeve dhe 3000 mjeteve të tjera luftarake të blinduara që prodhohen çdo vit janë të reja, vëren instituti RUSI.
Pjesa tjetër janë thjesht ripërtëritje të rezervave të vjetra sovjetike. Këto rezerva mund të shterojnë deri në vitin 2026 nëse normat e humbjeve vazhdojnë si tani, thotë Dara Massicot nga firma Carnegie Endowment. Prodhimi i armaturave mund të ketë arritur kulmin këtë vit, thotë zoti Muzyka.
Fuqia punëtore është gjithashtu një problem serioz. Tani për tani, Rusia po rekruton rreth 30,000 burra në muaj, por në planin afatgjatë, ajo do të përballet me sfidën e një popullsie në rënie dhe në plakje.
Më e rëndësishme është cilësia e këtyre forcave. “Marrja e materialit është shumë më e lehtë se trajnimi i aftësive për të përdorur mjetet ushtarake”, thotë Michael Kofman nga firma Carnegie Endowment.
Ai shton se Forcat e Armatosura të Rusisë janë përmirësuar shumë në disa fusha, si zbulimi dhe goditja e shënjestrave duke përdorur dronë, por aftësia e tyre për ta rritur këtë aftësi, është e kufizuar, sepse i mungojnë trupat, oficerët dhe stafi.
Humbjet e luftës
Forcat ruse janë dëmtuar nga humbjet e rënda. Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se që nga fundi i vitit 2024, spitalet ushtarake ruse kanë funksionuar në kapacitet të plotë.
Gjenerali Chris Cavoli, komandanti i lartë i NATO-s për Europën, tha në prill se Rusia kishte pësuar rreth 790,000 viktima.
Shumë nga të vrarët ose të plagosurit janë oficerë të vegjël që nevojiten për të udhëhequr njësitë drejt një force më të gjerë ushtarake.
Duke gjykuar nga njoftimet publike të varrimeve, midis viteve 2022 dhe 2024, Rusia humbi aq togerë sa do të nevojiteshin për të drejtuar gjithsej dhjetë divizione ose brigada, shkruan zonja Massicot.
Një studim i fundit nga instituti amerikan RAND Corporation ka parashikuar disa mënyra se si Rusia mund të rindërtojë Forcat e Armatosura. Përpara pushtimit të Ukrainës, udhëheqësit rusë u përpoqën për shumë vite që të ndërtonin një forcë ushtarake më profesionale që mbështetej në teknologji dhe shkathtësi.
Ky model tani është braktisur. Rusia po i rikthehet një mënyre më të vjetër dhe të ashpër lufte: “Reformat nuk po përqendrohen më në risi dhe teknologji, por në fuqinë e masës dhe të zjarrit”.
Aftësia e Rusisë për të ngritur ushtrinë e saj kufizohet edhe nga gjendja e vështirë ekonomike. Sipas shifrave zyrtare, vitin e kaluar, vendi shpenzoi 6.7% të PBB-së për mbrojtjen dhe këtë vit shpenzimet pritet të rriten.
Megjithatë, jo të gjitha këto para do të përdoren për të blerë pajisje të reja, sepse në shpenzime duhen përfshirë edhe pagesat për kurimin e ushtarëve të plagosur dhe familjet e të vrarëve, si dhe pagat e mëdha për të tërhequr njerëzit që të regjistrohen si ushtarë.
Goditja e luftës
Këtu mbështetet argumenti se kërcënimi nga Rusia, edhe pse i mirëfilltë, është më i përballueshëm sesa mendohet. Formacionet e reja ushtarake, si Korpusi i 44-të, që ishte menduar të vendosej në kufirin finlandez, janë thjesht “shfaqje frikësimi”, thotë John Foreman, i cili ka shërbyer si atashe i Britanisë në Kiev dhe Moskë.
Ai vëren se Rusia pretendonte se kishte 1 milion njerëz të armatosur, në një kohë kur shifra e vërtetë ishte 880,000. Për më tepër, anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO ka përkeqësuar shumë pozicionin e Rusisë në veri të NATO-s.
Ideja se Rusia mund të tërhiqet nga Ukraina, të riorganizojë ushtrinë e saj dhe të “marshojë në Varshavë”, është “një fantazi e shfrenuar”, thotë zoti Foreman. Ai nuk mendon se Rusia ka ndonjë qëllim për të sulmuar.
Disa analistë të tjerë thonë se aftësia e Rusisë për të kryer luftë, varet shumë nga lloji i luftës që zhvillohet. “Në një periudhë afatmesme nuk ka gjasa që Rusia të jetë në gjendje të krijojë aftësitë e nevojshme për një luftë në shkallë të gjerë kundër NATO-s”, pranon agjencia e inteligjencës mbrojtëse e Lituanisë.
“Megjithatë, Rusia mund të krijojë aftësi ushtarake të mjaftueshme për të nisur një aksion të kufizuar ushtarak kundër një ose disa shteteve të NATO-s”.
Inteligjenca daneze jep një paralajmërim të ngjashëm: do të duheshin pesë vjet që Rusia të ishte gati për një luftë të madhe (që nuk përfshin Amerikën).
Por do të duheshin vetëm dy vjet për t’u përgatitur për një “luftë rajonale” kundër disa shteteve në zonën e Detit Baltik dhe gjashtë muaj për të qenë në gjendje të kryejë një “luftë lokale” kundër një shteti fqinj.
Rusia mund të zhvendosë 50,000 trupa nga Ukraina në rrethin e saj ushtarak në Leningrad dhe kjo nuk do të ndikonte shumë në luftën e tanishme, argumenton Hanno Pevkur, ministri i Mbrojtjes i Estonisë.
“Por zhvendosja do të forconte ndjeshëm praninë ushtarake ruse në kufi me Estoninë”, paralajmëron ai. “Për të kryer një luftë të vogël lokale nuk është e nevojshme që ata të kenë në dispozicion të gjitha trupat ushtarake që ndodhen në Ukrainë”.
Këta skenarë kanë disa mangësi. Danezët mendojnë se NATO nuk do të riarmatoset dot “me të njëjtin ritëm”.
Por kjo nuk duket më aq e sigurt, në një kohë kur aleatët europianë të NATO-s, të trembur nga kërcënimet e Trump, po derdhin para me tepri në Forcat e Armatosura. Nuk mund të thuhet me siguri as nëse Rusia është në gjendje të kryejë një luftë lokale.
NATO ka vendosur një varg batalionesh në tetë shtete, nga Estonia deri në Bullgari, duke përfshirë trupa ushtarake nga 28 shtete. Trupat amerikane janë të pranishme në të paktën tre prej tyre.
NATO po ndjek nga afër stërvitjet ruse, duke u siguruar që trupat e aleancës të përputhen me rritjen e trupave ruse pranë kufirit. Stërvitja “Zapad” në Rusi dhe Bjellorusi në fund të këtij viti, do të analizohet me vëmendje.
Për të kryer një luftë të kufizuar, Rusia duhej të hamendësonte se këto forca të NATO-s do të tërhiqeshin ose se Amerika nuk do të ndërhynte (një hamendësim që mund të bëhet më i besueshëm në rast se Amerika do të shpërqendrohej nga një problem gjetiu, për shembull nga një përpjekje kineze për të pushtuar Tajvanin).
Kjo sigurisht që do të rriste shanset. Sipas llogaritjeve tona, edhe duke përshtatur pagat dhe kostot më të ulëta të Rusisë dhe buxhetin e saj të rritur ushtarak, dalim në përfundimin se shpenzimet e Putinit për mbrojtje nuk i arrijnë ato të shteteve anëtare europiane të NATO-s. Sidoqoftë, të paktën një pjesë e shpenzimeve të Europës janë shpërdoruar.
Më e rëndësishmja, edhe pse në teori, forcat europiane janë të armatosura mjaft mirë, në praktikë, ato do ta kishin të vështirë të shënjestronin siç duhet armët me rreze të gjatë, të organizonin operacione ajrore të ndërlikuara, të komandonin formacione të mëdha ushtarake ose të mposhtin mbrojtjen ajrore ruse pa ndihmën amerikane.
Për shembull, Polonia ka shumë raketahedhëse me rreze të gjatë.
Por nuk ka mjetet për të gjetur shënjestra për to shumë larg vijës së frontit. Tani për tani, shumica e vendeve europiane po operojnë duke hamendësuar se Amerika, edhe nën drejtimin e Trump, do të vazhdojë t’i mbështesë ndërkohë që Europa mbush boshllëqet me kalimin e kohës.
Duke kërkuar një pikë të dobët
Nëse ky hamendësim qëndron dhe nëse Europa përshpejton riarmatosjen, Rusia do ta kishte pothuajse të pamundur të niste një akt lufte që do të shkaktonte zbatimin e Nenit 5 të NATO-s për mbrojtjen e ndërsjellë.
Por dëshira ruse për rrezik mund të rritet, sidomos duke pasur parasysh se Trump mund të anashkalojë shkeljet më të vogla.
“Në vitet e ardhshme, Rusia do të bëhet gjithnjë e më e gatshme të përdorë forcën ushtarake për të ushtruar trysni ose për të sfiduar NATO-n në tërësi, ose ndonjë shtet të NATO-s”, paralajmëron shërbimi i inteligjencës daneze.
Këto mund të jenë incidente relativisht të vogla, siç ishte vendimi i pamatur rus për të ndërhyrë në punën e avionëve vëzhgues amerikanë, britanikë dhe francezë.
Por Rusia mund të tregohet shumë më e guximshme për të sulmuar ato zona që i sheh si periferike, si ishulli norvegjez Svalbard, një territor për të cilin anëtarët e NATO-s mund ta kenë të vështirë të pajtohen për të dhënë një përgjigje në kohë. Shtetet jo anëtare të NATO-s do të ishin gjithashtu një pre më e lehtë.
“Nëse trupat ruse do të zhvendoseshin nga Transnistria në një pjesë të Moldavisë, – thotë një burim i inteligjencës, – mendoj se kjo do të ishte një urgjencë shumë më e vështirë për t’u përballur dhe do të përçante NATO-n”.
Parashikimi i luftërave të ardhshme është gjithmonë i vështirë. Gjatë Luftës së Ftohtë, Amerika dhe Bashkimi Sovjetik i keqkuptuan qëllimet dhe aftësitë e njëri-tjetrit.
Në raportin e CIA-s “Vëzhgimi i ariut”, të bërë publik në vitin 1991, ish-analisti i CIA-s, Raymond Garthoff, shkroi se në vitet 1950 dhe 1960, dhe përsëri në vitet 1970 dhe 1980, kishte një prirje “për t’i fryrë synimet e Rusisë për sulm”.
Nga ana tjetër, edhe sovjetikët “e frynë armiqësinë dhe aftësinë e Perëndimit, duke përfshirë planifikimin për fillimin e luftës”. Por edhe nënvlerësimi i rreziqeve është i rrezikshëm. Shanset për një luftë të madhe në kufi me Suedinë mbeten të ulëta, thotë agjencia suedeze e spiunazhit.
Por paralajmëron se një “sulm i kufizuar i armatosur” kundër një shteti baltik ose anijeve të NATO-s është plotësisht i mundur.
“Një veprim i tillë mund të duket i pakuptimtë nga pikëpamja suedeze”, shpjegojnë spiunët, “por udhëheqja ruse merr vendime sipas logjikës së saj krejt të ndryshme”./ The Economist

