Connect with us

Kosova

The Economist shkruan për planin e Serbisë “për ta pushtuar Veriun”

Qeveria e Serbisë mund të përpiqet të imitojë strategjinë e njëjtë në pjesën veriore të Kosovës, ashtu sikurse Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kur pushtoi Krimenë në vitin 2014, shkruan prestigjiozja britanike “The Economist”.

“The Economist” i referohet ushtarëve të maskuar të Rusisë, të cilët karakterizohen nga uniforma ushtarake pa simbole, të armatosur me pajisje moderne ushtarake, të cilët u shfaqën fillimisht në Ukrainë.

Rusia vendosi të përdorte forcat lokale si mbulesë për të kryer operacionet e saj konvencionale ushtarake, megjithatë, sipas presidentit rus, ata janë në fakt anëtarë të “grupeve vetëmbrojtëse” të organizuara nga vendasit që blejnë uniforma dhe pajisje nëpër dyqane.

Një forcë e ngjashme tejet shqetësuese me elemente pro-ruse, që në disa vende figuron nën emërtimin “Brigada e Veriut”, me rreth 300 anëtarë të armatosur mirë, është hasur edhe pranë barrikadave në veri të Kosovës.

Organizatat radikale ultra-nacionaliste serbe, pas situatës së tensionuar në Veri, kanë ngritur në një nivel tjetër bashkëpunimin me organizatat terroriste ruse në Kremlin, duke përfshirë grupet famëkeqe Wagner dhe Ujqërit e Natës.

Mirëpo, siç shkruan “The Economist”, megjithëse fuqitë perëndimore po përpiqen të negociojnë fundin e krizës përpara se të ndodhë ndonjë konfrontim i dhunshëm, diplomatët e anazhuar në dialog, gjithnjë e më shumë e shohin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si një lider “kokëfortë”, ndërsa presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, si një politikan që ka humbur kreditet duke refuzuar të zbatojë sanksione ndaj Rusisë.

Për këto arsye “The Economist” shkruan se është e paqartë nëse Kurti dhe Vuçiç mund të pranojnë kompromisin që kanë propozuar diplomatët evropianë me planin franko-gjerman.

“Ata kërkojnë që Serbia ta trajtojë Kosovën si shtet, edhe pse pa e njohur atë zyrtarisht. Kosova duhet të zbatojë një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2013 (edhe pse ajo u refuzua nga z. Kurti, i cili atëherë ishte në opozitë) për të formuar një asociacion të komunave me shumicë serbe me autonomi mbi arsimin dhe kujdesin shëndetësor”.

Problemi, thotë një diplomat për “The Economist”, është se marrëdhëniet mes palëve tani janë aq të këqija sa udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë “po jetojnë në dy planete të ndryshme”.

Advertisement