Connect with us

Kosova

Thes i mbyllur dhe ‘këmishë force’ Kosovës dhe Serbisë

Deri në dhjetor/ Thes i mbyllur dhe ‘këmisha force’ Kosovës dhe Serbisë

Intensifikimi i përpjekjeve muajve të fundit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës lë të kuptohet se Perëndimi “do t’ia lidhë grykën “thesit të dialogut” mes të Kosovës dhe Serbisë, ndoshta për ta hapur në dhjetor me marrëveshje përfundimtare.

Frymë të re në procesin e negociatave mes dy shteteve ka sjellë angazhimi i dy top-këshilltarëve të kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, meqë në Bruksel diskutohej vetëm për çështje specifike teknike dhe s’kishte një përfshirje kaq direke që nga koha e Angela Merkel.

Për propozimet e tyre Scholz dhe Macron kanë vënë afate dhe janë duke pritur përgjigje nga Kurti dhe Vuçiç.  Ndërkohë në adresë të dy liderëve, ka folur emisari amerikan Gabriel Escobar dhe ditë më parë ka zhurmuar zilja e telefonit ardhur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Përgjatë këtij muaji janë shtuar edhe deklarimet që flasin për fundin e këtij viti si afati final për arritjen e një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë çështje ka folur ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se marrëveshja finale mund të ‘kopsitet’ deri më 31 dhjetor 2022.

Për afate kohore ka folur edhe Miroslav Lajcak dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Lajcak ka thënë se është mirë të shfrytëzohet periudha e mbetur dy vjeçare për arritjen e një marrëveshje, ndërsa Kurti është shprehur se beson që s’janë në dispozicion as edhe dy vite për të arritur një marrëveshje me Serbinë.

Befasia ka ardhur nga presidenti serb Vucic, i cili deklaroi se s’bëhet fjalë për vite e as për muaj, por për javë.

Sipas mediave në Beograd, në drejtim të Serbisë është duke u bërë presion i madh për çështjen e Kosovës dhe se po kërkohet hapur që deri në dhjetor të gjendet një zgjidhje dhe të arrihet një marrëveshje.

Që Kosovës dhe Serbisë i kanë veshur ‘këmishën e forcës’ dhe po iu kërkohet intensifikim i angazhimit në procesin e negociatave, e ka konfirmuar edhe vetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në një konferencë për media pas takimit me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, tha se Kosova është e gatshme për intenfisikim të angazhimit në procesin e dialogut.

 

 

Advertisement