Kosova
Thika do t’i shpojë të gjithë/ Ambasadori Ferguson: Nuk ka zgjidhje të lehtë për çështjen e Kosovës
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, Edward Ferguson, tha se situata në Ballkan është e brishtë dhe shtoi se të gjithë shpresonin për përparim pozitiv në procesin e negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por në vend të kësaj janë parë vetëm tensione
Në një intervistë për gazetën ‘Kurir’, Ferguson theksoi se Britania e Madhe po i përcjell nga afër ngjarjet në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe shtoi se Serbia ka përgjegjësi të veçantë të punojë për paqen dhe sigurinë, sepse si ekonomia më e madhe në rajon, ajo ka më shumë për të humbur në rast të paqëndrueshmërisë dhe konfliktit.
“Është një situatë shumë frustruese. Ne e mbështetëm plotësisht procesin e negociatave nën kujdesin e BE-së dhe SHBA-së. Të gjithë kemi shpresuar por deri tani kemi parë tensione në rritje, të cilat kanë çuar në lëndime serioze të pjesëtarëve të njësive të KFOR-it. Kjo është krejtësisht e papranueshme. Ata që janë përgjegjës për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi, dhe qeveritë në Beograd dhe Prishtinë duhet të punojnë më shumë për të qetësuar situatën” – deklaroi Ferguson dhe shtoi se nuk ka zgjidhje të lehtë për çështjen e Kosovës.
“Për popullin e Kosovës, kjo do të thotë të pranojë se Serbia ka shqetësime legjitime, për sigurinë e komuniteteve serbe në veri të Kosovës dhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe. Për popullin e Serbisë, kjo do të thotë të pranojnë se Kosova është shtëpia e 1.7 milionë shqiptarëve që nuk duan të jenë pjesë të Serbisë.” – theksoi ambasadori britanik