Connect with us

Rajon

‘Tigri’ i Arkanit, që vrau shqiptarë në Bosnje, shëtit në Europë

Revista e famshme “Rolling Stone”, ka hetuar prapaskenat e një nga fotove më të tmerrshme të luftës së Bosnjës, ku zbërthen se si një çetnik serb, i quajtur Sergjan Goluboviq (Srđan Golubović) i njohur si DJ Max, godet me shkelm kufomat, një boshnjake, dhe dy shqiptarë – burrë e grua.

Tridhjetë vjet pasi një skuadër vdekjeje masakroi civilë në Bosnje, asnjë nga “Tigrat” e famëkeqit Arkan nuk ka dalë në gjyq për rolin e tyre të dyshuar në ato krime. Dhe për dekadat e fundit, njëri prej tyre ka arritur të fitojë famë dhe para në festivale dhe klube evropiane.

Bëhet fjalë pikërisht për DJ Max apo Sërgjan Goluboviq.

Për të bëmat e Goluboviqit ka folur fotografi amerikan, Ron Haviv, i cili në atë kohë ishte në moshë të re. Ai kishte takuar Tigrat e Arkanit në Kroaci, ku i kishte fotografuar.

Arkanit i kishte pëlqyer një fotografi, në veçanti: komandanti paramilitar duke qëndruar para burrave të tij të uniformuar, duke pozuar me një tigër bebe në njërën dorë dhe një armë në tjetrën. Havivi qëndroi me Tigrat për një ditë, më 2 prill, 1992.

Haviv, tani një fotograf i njohur dhe i vlerësuar me çmime, kapi në film një nga krimet e para të dukshme të luftës të Luftës së Bosnjës. Një nga fotot që atëherë është bërë simbol i vetë luftës. Haviv shpresonte se kjo do të çonte në përgjegjësi, se mund të ndihmonte në shpëtimin e jetëve.

Por 30 vjet më vonë, shumë nga Tigrat e Arkanit të pranishëm atë ditë ende ecin të lirë. Një prej tyre, në fakt, po jeton një jetë mjaft publike. Mund ta hasni në një klub, në varësi të vendit ku bëni festë, shkruan “The Rolling Stone” në një artikull të gjatë hulumtues.

Më tej, në artikull flitet për personazhin Xhenita (Dženita), e cila thuhet se jetoi jetë të qetë në Bijelinë, Bosnjë, gjatë gjithë jetës së saj. Por lufta erdhi me shpejtësi. Tani, një burrë i lodhur po rrihte fqinjin e saj Admir Shabanoviq (Admir Šabanović), një djalë i ri rreth të njëzetat, i njohur si Ado.

Duke parë gjakun e spërkatur në katin e bodrumit, Xhenita mbajti pranë djalin e saj dhe u lut që të mos vriteshin. “Nëse na qëllojnë”, kujton ajo duke menduar, “është më mirë nga mbrapa. Do ta vrasin djalin tim menjëherë dhe ky është fundi”.

Disa njerëz vrapuan nga bodrumi, por nuk arritën larg. Jashtë komandot, me armë të bëra gati, i bërtisnin Abdiramit dhe Hamijeta Pajazitit (Abdirami dhe Hamijeta Pajaziti), një çift rreth të tridhjetave, që përpiqeshin të iknin. Ata i bërtitën edhe Havivit që të mos bënte më fotografi. Haviv kujton se u kthye për t’u strehuar pas një kamioni. “Dëgjova disa të shtëna duke ecur”, thotë Haviv. “Ndërsa u ktheva, munda të shihja mes kabinës së kamionit dhe pjesës tjetër të kontejnerit të kamionit… E pashë burrin të qëlluar dhe gruan duke u përpjekur ta shpëtonte”. Hamijeta e mbajti me butësi dorën e të shoqit, ndërsa Abdirami po vdiste.

“Bëra dy foto dhe më pas vendosa të kthehem”, thotë Haviv. “Dhe ndërsa po kthehesha, ata e qëlluan atë (Hamijetën)”.

Ndërkohë, Rexhep Shabanoviq (Redžep Šabanović), babai i Admirit, ishte shtrirë ende në oborr. Xhenita mund ta shihte trupin e tij nga brenda shtëpisë. Ai ishte përpjekur të arratisej kur hynë Tigrat e Arkanit, kujton Xhenita. Tani, ai kishte vdekur.

“Tifa [gruaja e Rexhepit] donte t’i afrohej”, thotë ajo. “Njerëzit e Arkanit ishin në shtëpi dhe filluan të qëllonin drejt saj”.

Haviv, ende jashtë, shikonte teksa burrat e sillnin Tifën përpara murit me tulla të kuqe që rrethonte shtëpinë. Pamja e tij u bllokua pjesërisht pasi u dëgjuan të shtëna të tjera. Trupi i Tifas ishte shtrirë në tokë, pranë trupit të Abdiramit dhe Hamijetës, me duart mbi kokë. Haviv shkrepi një foto.

“Nuk e di kush i qëlloi”, thotë Haviv sot. Por ishte e qartë se Tigrat e Arkanit po grumbullonin dhe synonin civilët. “Duket pothuajse e pamundur që dikush tjetër përveç këtyre djemve të qëllojë këta njerëz”.

Xhenita, ende në bodrum, dëgjoi të shtënat dhe e zuri paniku, duke u përsëritur komandove se ishte shtatzënë. Një burrë i gjatë me flokë të errët, i cili u prezantua si zëvendës i Arkanit, u bërtiti njerëzve të tij që të ndalonin të shtënat; ata po nxirrnin jashtë gra dhe fëmijë. Ajo nuk e pa më kurrë të shoqin gjallë.

Çifti i ri ishte në vitet e tyre “të bukura”, thotë ajo. Ata ishin të porsamartuar që rrinin nëpër kafene, qeshnin me miqtë, drekonin me prindërit e tyre. Tani, ajo ëndërr kishte marrë fund. Kunata e saj do ta identifikonte Muhamedin në morg të nesërmen. Burrat e Arkanit, thotë Xhenita, “u desh të vinin e të shkatërronin gjithçka”.

Ndërsa burrat kaluan Xhenitën përpara portës së përparme, ajo pa Tifan e shtrirë në trotuar. “Oh, nënë”, bërtiti Tifa. Ajo ishte e gjallë, duke rrjedhur gjak. Admir Shabanoviq, i rrahur dhe i arrestuar nga Tigrat matanë rrugës, vrapoi drejt murit pranë xhamisë. Ishte shumë i lartë për t’u ngjitur. Ai u kthye, u fsheh në qoshe dhe “ata e qëlluan atë, si një shaka”, kujton Haviv. “Isha dëshmitar i atij momenti”.

Ndërsa Tigrat u përgatitën për t’u larguar, Havivi kuptoi se nuk kishte prova për autorët e dyshuar në të njëjtën kornizë me viktimat e tyre. “Teksa po e fiksoja aparatin, [një komando] vjen nga e majta ime”, thotë ai. Haviv e njohu atë si “djaloshin e guximshëm” që e kishte fotografuar më parë atë ditë në Bijelinë, duke buzëqeshur mbi një motoçikletë blu “Suzuki”. Në uniformën e tij ishte një copë e zezë me një tigër, me dhëmbë të zbuluar. Shenja me shkronja cirilike shkruante: Tigrat.

Haviv shkrepi një pamje të vetme të komandos. Është një foto e habitshme: një i ri i lodhur, me fytyrën e errësuar, me një granatëhedhës me raketa në shpinë. Syzet e diellit të vendosura mbi kokën e tij, një cigare e ndezur që i rrinte e varur nga dora e majtë. Burri e lëkund çizmen e tij të zezë drejt Tifas, ndaj trupit të saj të thërrmuar pranë Abdiramit dhe Hamijetës, gjithashtu të qëlluar. Dy burra me uniformë kalojnë pranë, me armë në dorë, ndërsa gjaku derdhet në beton.

Haviv u largua nga skena e vrasjes sa më shpejt që mundi, duke u ndalur në selinë e luftëtarëve në Bijelinë për të bërë një fotografi të fundit të një të riu, Hajrush Ziberi, në mënyrë që të provonte se Tigrat e Arkanit e kishin ndaluar atë. Në pamje shihet Ziberi duke i lutur për jetën. Trupi i Ziberit thuhet se do të gjendej më vonë në lumin Sava.

“Doja të largohesha nga atje”, thotë Haviv. Por së pari, vetë Arkani ia mori filmin Havivit nga kamera e tij, dokumentacion i dhunës së ditës. Por filmat tjerë të fotografive të shkrepura, të cilat Haviv i fshehu, përmbajnë disa nga fotot e vetme të bëra nga masakra në Bijelinë.

E megjithatë, pavarësisht fotos turpëruese, burrat e fotografuar nuk janë gjykuar kurrë për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasjet e Bijelinës. Ndërsa gjykatat në Ballkan kanë paditur qindra njerëz për krime të kryera gjatë luftës në një proces gjyqësor që ka marrë dekada, qindra raste të krimeve të luftës në të gjithë rajonin mbeten të pazgjidhura. Në Bijelinë, si shumë vende anembanë Bosnje dhe Hercegovinës, njerëzit e akuzuar për mizori ecin në të njëjtat rrugë me viktimat e tyre. Shumica e Tigrave të Arkanit nuk janë përballur me pasoja për gjoja vrasjen, përdhunimin, plaçkitjen dhe dëbimin e civilëve nga shtëpitë e tyre.

Në fund të vitit 1995, lufta në Bosnje kishte mbaruar dhe një skenë nëntokësore rave po lulëzonte në Beograd. Për rininë e qytetit, ishte një shpërqendrim i mirëpritur nga realiteti dërrmues i jetës së përditshme. Hiperinflacioni i fillimit të viteve 1990 bëri që shumë nuk mund të përballonin mallrat bazë. Sanksionet ndaluan importet dhe eksportet dhe udhëtimet ajrore ndërkombëtare për vite me radhë. Interneti nuk ishte ende i përhapur dhe propaganda ndoti peizazhin e informacionit.

Diku tjetër në botë, mesi i viteve nëntëdhjetë ishte epoka e Tupac, Oasis dhe Fugees. Por në Serbi, shumica e të rinjve nuk mund të përballonin ose të kishin akses në të dhënat. Shumë i kthyen radiot e tyre në B92, një stacion serb nëntokësor që sfidoi nacionalizmin e linjës së ashpër të asaj kohe, duke transmetuar lajme nga bota e jashtme së bashku me muzikën rock dhe elektronike.

“Skena elektronike ishte e lidhur me lëvizjen kundër luftës”, thotë Sasha, një ish-entuziast tekno dhe dëgjues i pasionuar i B92, tani në të dyzetat, i cili frekuentonte protestat e Beogradit në vitet nëntëdhjetë. “Ishte një arratisje nga jeta jonë e përditshme”. Ajo që Sasha dhe fansat e tjerë të muzikës elektronike në atë kohë nuk dinin ishte se një nga të rinjtë premtues të skenës, Sërxhan Goluboviq (shpesh i shkruar Srdjan Golubovic në anglisht, dhe për të mos u ngatërruar me regjisorin e filmit me të njëjtin emër), kishte veshur uniformën e Tigrave të Arkanit. Ai kishte qenë një luftëtar në luftën kundër së cilës po protestonin. Ai do të akuzohej, nga shtypi vendas dhe anëtarët e publikut, se ishte i riu me uniformë, të cilin Haviv e fotografoi në vitin 1992, me çizme të ngritura, duke synuar trupin e gjakosur të Tifa Shabanoviqit.

Kur u vendos në Bosnje, sipas burimeve të shumta, anëtarët e Tigrave të Arkanit e quajtën atë Max. Në festat e Beogradit, njerëzit e quanin “Kapiten Maks”. Në ndeja të muzikës rave dhe koncerte, ai ishte DJ Max, emri me të cilin ai ende performon, megjithëse performancat e tij janë më të rralla këto ditë.

“Ai është i neveritshëm”, thotë Sasha, i cili kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e tij. “Rolling Stone” ka shqyrtuar shumë fotografi nga Haviv, të realizuara në Bijelinë më 2 prill, pesë prej të cilave duket se tregojnë Goluboviqin. Në njërën, ai është në një spital duke folur me dy gra, fytyrat e tyre të shtrembëruara nga frika ose pikëllimi. Në një tjetër, ai është fotografuar në patrullë me Tigrat e Arkanit. Dhe në njërën, të cilën “Rolling Stone” po e publikon për herë të parë, një Goluboviq i ri me fytyrë foshnje ulet në një “Suzuki” blu. Fotografia është bërë në të njëjtën ditë me masakrën, thotë Haviv, dhe është fotografia më e qartë deri më tani që tregon praninë e Goluboviqit në Bijelinë. Dy banorë të Bijelinës thonë se i njohin ndërtesat e vjetra në fotografi, disa minuta më këmbë nga vendi i masakrës.

Goluboviq refuzoi kërkesa të shumta intervistash për t’iu përgjigjur pretendimeve se kishte luajtur një rol në vrasjet masive në Bijelinë. “Rolling Stone” i dërgoi atij dy foto të bëra nga Haviv – fotografia më e famshme e Havivit në Bijelinë, dhe fotoja e motoçikletës e papublikuar më parë. “Unë nuk po jap pëlqimin tim që emri im apo fotografia ime të përmendet në artikullin tuaj”, shkroi Goluboviq në përgjigje në Viber. “U konsultova me avokatin tim dhe siç e kuptova, nuk është e ligjshme të publikosh ndonjë informacion të rremë për dikë”.

Shkrimi i “The Rolling Stone” vazhdon me dëshmi tjera për masakrën në Bijelinë.

Por, ajo që duhet të theksohet është se tri viktima nga kjo masakër, e për të cilat dëshmon edhe fotografi tashmë i mirënjohur Haviv, janë shqiptare: Abdirami dhe Hamijeta Pajaziti, dhe Hajrush Ziberi.

Advertisement