Bota
Tjetër armëpushim në horizont? Planet e Hamasit për ndërprerjen e luftimeve për lirimin e pengjeve izraelite
Hamasi po shqyrton një marrëveshje të propozuar për armëpushim me Izraelin në Gaza që përfshin tre faza dhe parashikon një armëpushim që zgjat disa javë. Kështu tha sot për AFP një burim brenda organizatës palestineze.
Hamasi tha dje se po shqyrtonte propozimin e armëpushimit të paraqitur nga ndërmjetësit gjatë një takimi të fundit në Paris, pas një armëpushimi fillestar njëjavor në fund të nëntorit, në të cilin 105 pengje në Gaza u liruan. Faza e parë e këtij propozimi kërkon një armëpushim gjashtëjavor, me mundësi zgjatjeje. Gjatë kësaj kohe, Izraeli do të duhet të lirojë midis 200 dhe 300 të burgosur palestinezë që nuk mbahen nën një regjim të sigurisë së lartë në këmbim të lirimit të 35-40 pengjeve të mbajtura në Gaza.
Vetëm “gratë, fëmijët dhe pacientët meshkuj mbi moshën 60 vjeç” të ndaluar në Gaza do të mund të lirohen, tha ky burim për AFP në kushte anonimiteti. Ndërkohë 200 dhe 300 kamionë me ndihma humanitare mund të hyjnë gjithashtu në Rripin e Gazës çdo ditë. “Hapi i parë përfshin negociatat që synojnë tërheqjen e forcave izraelite dhe kthimin e personave të zhvendosur në pjesën veriore të Rripit të Gazës”, sqaroi ky burim. Hamasi po kërkon një armëpushim të plotë si kusht për çdo marrëveshje, veçanërisht për lirimin e pengjeve izraelite. Nga ana e tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi dje se Izraeli nuk do të lirojë “mijëra terroristë palestinezë” në këmbim të pengjeve në Gaza si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi. Nëse arrihet armëpushimi fillestar, një hap i dytë kërkon lirimin e “ushtarëve rezervë” të mbajtur në Gaza në këmbim të lirimit të një numri të pacaktuar të të burgosurve palestinezë.