Kosova
Toby Vogel: Zgjedhjet në Serbi, vonesë e mëtejshme e dialogut
Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, ka thënë se qëndrimi i Brukselit është “ashpërsuar” përsa i përket zbatimit të Marrëveshjes Bazë, edhe për shkak se Serbia ka thënë se Marrëveshja e Ohrit nuk e obligon atë që ta zbatojë.
“Këtë e ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në deklaratat e tij. Çdo vëzhgues neutral do të konkludonte se nuk ka marrëveshje të Ohrit” – tha Vogel për “Radio Evropa e Lirë” në gjuhën serbe.
Pasi që liderët evropianë, përkatësisht presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, takuan ndaras, fillimisht Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas presidentin serb Vuçiç, kërkuan nga Prishtina që të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa që Beogradi të bëjë njohjen de facto për Kosovën.
Këto zhvillime në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, vijnë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë Rreshteri Afrim Bunjaku.
“Përsa i përket Banjskës, mendoj se do të ishte jashtëzakonisht e vështirë që Kosova të kthehej në rrjedhën e zakonshme të dialogut, sikur asgjë të mos kishte ndodhur” – beson Vogel.
Megjithatë, analisti politik theksoi se nëse jeni dakord me një marrëveshje ndërkombëtare “që është në kundërshtim me Kushtetutën tuaj, dhe për çfarëdo arsye që ju besoni se një marrëveshje e tillë duhet të miratohet, atëherë duhet të gjeni një mënyrë për të ndryshuar Kushtetutën.
Nuk është e mundur, vlerësoi Vogel, “të pajtohesh me një marrëveshje dhe në të njëjtën kohë të refuzosh zbatimin e saj. Unë e kuptoj që është politikisht e papërshtatshme. Por ideja që ju nuk pajtoheni me diçka sepse është kundër Kushtetutës nuk funksionon. Sepse prej kesaj humbëm 12 vjet në një dialog që nuk të çon askund” – theksoi Vogel, duke shtuar se qëllimi përfundimtar i dialogut është normalizimi i gjithanshëm i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Nëse e quani normalizim, për ta bërë të këndshëm për audiencën serbe e shqiptare, apo nëse e quani njohje de facto, kjo është semantikë” – beson Vogel.
Përsa i përket shpalljes së zgjedhjeve parlamentare më 17 dhjetor në Serbi, Vogel mendon se kjo është një vonesë e mëtejshme në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, teksa kujtoi se pas kësaj do të ketë zgjedhje për Parlamentin Evropian dhe administratën e re të BE-së. Ai gjithashtu u shpreh se Perëndimi nuk dëshiron të bëjë shumë presion mbi Vuçiç-in, sepse “ata nuk duan të rrezikojnë një kolaps të plotë të dialogut”.
“Dhe nuk do të habitesha nëse tani do të kishte një qëndrim se ai duhet të lejohet të merret me fushatën parazgjedhore dhe që pas zgjedhjeve të ketë një mandat të fortë që të pajtohet me marrëveshjen e normalizimit me Kosovën” – potencoi bashkëpunëtori i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, duke treguar se përkundër kësaj, ai është skeptik nëse gjërat do të rrjedhin kështu.
“Nëse Vuçiç do të donte të pajtohej me zbatimin e marrëveshjes bazë – që nuk pretendoj se është politikisht e lehtë para publikut serb – ai mund ta kishte bërë tashmë” – pohoi Vogel.