Rajon
‘Tradhti’/ Opozita akuza Vuçiç: Nuk heqim dorë nga Kosova
Opozita në Serbi ka pritur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç me parulla si “E ke dorëzuar Kosovën”, “jo ultimatum, jo kapitullim”, ndërsa ai po fliste për Kosovën.
Megjithatë, që në fillim seanca ishte e tensionuar, sepse përfaqësuesit e opozitës kanë ofenduar vazhdmisht Vuçiçin gjatë fjalimit të tij, për të cilat kryetari i Kuvendit, Vladimir Orliç, e paralajmëroi disa herë.
Në një moment, teksa Vuçiç po fliste shumë ashpër, duke akuzuar ish-qeverinë për lirimin e kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti, nga ndjekja penale në vitin 2001, duke treguar një listë me 1800 shqiptarë të liruar, deputetët e opozitës i treguan rregulloren.
“Për ta, rregullorja është zemra e Serbisë”, tha Vuçiç, pas së cilës deputetët e qeverisë dhe të opozitës janë ngritur nga vendet e tyre, duke çuar në përplasje fizike.