Aktualitet
Trafik droge nga Amerika Latine drejt Europës, SPAK vë nëpranga dy pjestarë të grupit
Dy persona, anëtarë të një organizate kriminale që vepronte në trafun e drogës nga Amerika latine drejt Europës, janë arrestuar në Shqipëri, njoftoi Prokuroria Speciale.
Të arrestuarit janë Arjanit Maloku dhe Jurgen Kacurri ndërsa me urdhër të SPAk janë kontrolluar 21 banesa dhe ambiente të tjera.
“Sot, më datë 25.09.2024, në Republikën e Shqipërisë, janë kryer 21 kontrolle banesash dhe ambjente të tjera. Janë arrestuar në flagrancë dy pjesëtarë të grupit kriminal, shtetasit me iniciale J.K. dhe A.M. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 mijë Euro, 6 mijë Paud, 2 automjete, 1 armë, 4 ora të markës Rolex, 26 aparate celulare, dokumente, sende të tjera me vlerë, si dhe prova të tjera materiale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet italiane, zviceriane, polake, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në kuadër të hetimeve për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” dhe “Mashtrimi në investime në shuma të mëdha”.
Nga hetimi ka rezultuar ekzistenca e një grupi të strukturuar kriminal, i cili ushtronte aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Italisë.
Ky grup kriminal e ushtronte aktivitetin kriminal në Itali, Shqipëri, Poloni dhe Zvicër.
Të dyshuarit pastronin fitimet e tyre të paligjshme nëpërmjet një rrjeti të panumërt kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e krijuar për këtë qëllim, e cila furnizonte fatura false për rreth 375 milionë Euro.
Nga hetimi janë sekuestruar 360 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, armë dhe sende të tjera me vlerë, të përllogaritura në vlerën prej 60 milion Euro cash.