Bota
Trafik kokaine me SKY ECC, arrestohet në Itali shqiptari i shpallur në kërkim

Një 37-vjeçar shqiptar i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge është arrestuar në Itali. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, 37-vjeçari, u arrestua në aeroportin e Fiumicinos në Romë teksa ka zbritur nga Spanja.
Ndaj 37-vjeçarit shqiptar ka pasur urdhër-arresti ndërkombëtar, pasi ishte zbuluar si pjesë e një rrjeti të mirëorganizuar narkotrafiku nëpërmjet përgjimeve të platformës ‘SKY ECC’. Nga hetimet rezultoi se shqiptarit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, iu gjetën biseda të shumta, mbi të cilat është ngritur edhe akuza, pasi e ka përdorur atë për të menaxhuar importimin nga jashtë të lëndëve narkotike në sasi të mëdha.
Operacioni u krye në muajin mars të këtij viti, kur u ekzekutuan 5 fletë-arresti, por 37-vjeçari nuk figuronte në vend, pasi ishte i arrestuar në Spanjë. Shpërndarja dhe trafikimi bëhej duke komunikuar pikërisht në këtë rrjet kriptofonik dhe të dyshuarit janë kryesisht shtetas shqiptarë.
Shqiptari jetonte prej vitesh në Bolonja dhe ishte zhvendosur në Spanjë në vitin 2022, ku ndodhej në paraburgim për trafik droge. Atij i ishin gjetur 2167 bimë kanabis, 52.90 gramë sytha marijuanë, 580 tableta të distiluara THC dhe 1,121 gram tableta të distiluara THC). Shqiptari dyshohet se ka përdorur lidhjet e tij kriminale për të importuar kokainë me një lëndë të lartë aktive.
Sipas hetimeve, nga muaji mars deri në dhjetor 2020, ai ka mundur të sjellë në Itali gjithsej 50 kilogramë kokainë (me vlerë blerjeje tregtare 1.7 milionë euro ) dhe 80 kilogramë marijuanë (rreth 300 mijë euro).
Sapo ka zbritur në Itali, në Fiumicino, i është njoftuar masa e sigurimit në fjalë së bashku me dënimin përfundimtar me 2 vjet e 8 muaj burgim, përveç pagesës së gjobës prej 12 mijë eurosh.
Ai kishte qenë i arrestuar edhe më 30 prill 2019, kur ndodhej në Bolonjë. Në atë kohë ishte kapur në parkingun e nëndheshëm të qendrës tregtare ‘Centro Lame’ në Via Marco Polo, me 150 gramë kokainë të destinuar për shitje dhe ishte person me precedentë penalë në këtë fushë.

