Connect with us

Kronike

Trafik nga Rinasi, përgjimet: Fol shpejt, po më arrestojnë

Trafiku përmes areoportit të Rinasit i një ngarkese droge, me destinacion Turqinë, ishte një nga çështjet e radhës që megjithëse angazhoi prokurorinë dhe policinë, ende nuk ka zbuluar se cilët janë bashkëpuntorët e vërtetë të trafikantëve. Me një oficer policie të arrestuar, identifikuar si Florenc Bicerri, nëse çështja do t’i lihej vetëm palës shqiptare të policisë kufitare në Rinas, ajo do të ishte mbyllur pa rezultat.

Por hetimi nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore me seli në Tiranë, nuk ka dhënë ende përgjigjje se cilët ishin ndihmësit e policit rrugor për ta kaluar pa asnjë problem ngarkesën, që në areoportin “Sabiha Gocken” u zbulua thjesht nga një qen antidrogë. Burimet i thanë Gazetasi.al se disa herë hetimet ndaj punonjësve në areoportin “Nënë Tereza”, kanë pasur në fokus oficerë policie të komisariatit të Rinasit , por në finale dosjet janë pushuar.

“Kemi raste sporadike, ku policët njoftojnë se qytetarët në radhë tentuan t’i korruptojnë, por vazhdon të jetë e vështirë faktimi i oficerëve në afera të tjera”, – deklaron një burim pranë SPAK për Gazetasi.al.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në rastin e kontrabandimit të orave të shtrenjta nga një emigrant që jeton në Britaninë e Madhe, por që teksa flet për kontakte dhe për ndërhyrje, operacioni ndërpritet befasisht dhe në këtë mënyrë, hetimi mbyllet me vetëm një të prangosur. Gazetës “SI”, iu vendos në dispozicion dosja në ngarkim të 42-vjeçarit me iniciale K.H., i cili rezulton se është banues në Birmingham, Angli.

Ai u kap me ora Rolex në areoport, dhe në kushtet e flagrancës, ai mbeti i vetmi i arrestuar. Por sakaq, për kontrabandimin përmes Rinasit, një tjetër institucion kishte vënë në dijeni organet e hetimit prej muajit korrik 2022 mbi mospërputhjen  e dokumenteve në një dyqan.

Shkresa me numër 18.667 ka dalë, sipas drejtorisë së verifikimit dhe monitorimit në terren për të ndjekur praktikën e një subjekti të regjistruar në organet tatimore. Subjekti, sipas këtij insitucioni ishte regjistruar në prill 2022 dhe kishte zyrat në “rrugën e Dibrës”.

“Nga ana e inspektorëve, nga kontrolli i ushtruar janë cilësuar disa shkelje në adresë të subjektit ku u krye inventarizimi fizik. Aty rezultuan 3.331 copë ora të ndryshme, ndërkohë në inventarin kontabël, rezultonin 3.406 copë ora, pra konstatohet një diferencë prej 75 orësh shitur pa dokumentacionin e nevojshëm”, – përmendet në gjetjet e këtij institucioni.

Katër muaj më vonë, pasi inspektorët kishin përpiluar procesverbalët, pavarësisht se përgjimet tregojnë që ai kishte ndihmës në aeroport, çështja mbyllet vetëm me procedimin e 42 vjeçarit, duke mos ekspozuar ndihmësit e tij në areoportin më të rëndësishëm në vend. Burimet shtojnë se çështja u dekonspirua për të shpëtuar kryesorët, por pa veçuar emra të të implikuarve në areoport.

I dyshuari si transportues i orave të shtrenjta, varëseve të florinjta, orëve “Tudor” dhe “Cartier”, që është baba i dy fëmijëve, flet në “Whatsupp”. Biseda mes tij dhe një personi tjetër që nuk jepen shpjegime se përse nuk është arrestuar nga policia dhe prokuroria e kryeqytetit, ka kërkesa për të folur me një person tjetër që duhet të ndërhynte.

Ky person e udhëzon, “ok, avash avash, mbaruat me pasaportat, a po kontrollojnë të gjithë?”.

I dyshuari i përgjigjet pak më vonë, “fol shpejt, se janë duke më arrestuar”. Dhe gjatë komunikimit mes të dyve, teksa i panjohuri e pyet se kush është polici që po bën kontroll dhe tranportuesi, ia tregon, ai i përgjigjet: S’kanë çfarë me të bo robt. Se janë duke fol për me dal.

Personi në fjalë, thekson prokurori në dosje, është në dijeni të veprimeve që po kryen i dyshuari, por megjithatë nuk jepet asnjë arsye se përse hetimi u ndëpre vetëm tek transportuesi. Prokuroria justifikohet me argumentin se nuk e ka identifikuar numrin e telefonit në fjalë, megjithëse si indicie deklarohet se ai mund të jetë administrator i dyqanit të orëve, të identifikuar muaj më parë.

Transportuesi sidoqoftë kuptohet nga bisedat që iu vendosën në dispozicion Gazetasi.al, se ishte fare i qetë dhe u kërkon të njohurëve që ta presin në kafe se për 20 minuta dilte nga areoporti. Në një moment, kur kupton se po e vonojnë ai shprehet, “nuk po dëgjojnë me marr një kafe”, dhe më pas kërkon që të flisnin shpejt që ta shpëtonin. Por njeriu që kishte hyrë garant nuk u zbulua, megjithëse ka dyshime se ai punon në areoportin e Rinasit, i përfshirë shpesh në hetime, më i rëndi ai i grabitjes së organizuar brenda në pistë të 10 thasëve me euro.

Por ndonëse në atë kohë u deklarua nga prokuroria se nisi hetimet për shpërdorim detyre dhe shkelje të protokollit edhe nga punonjës të areoportit, teksa ruajtja e objektit të rëndësisë së vecantë u mor në ruajtje nga ushtria, në përfundim gjithçka u harrua./GazetaSi

Advertisement