Kronike
Trafiku i dro’gës/ GJKKO konfirmon masat për 5 nga të akuzuarit, lirohet Ilir Lloshi

Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masat e sigurisë për 5 prej të akuzuarve nga SPAK për trafik narkotikësh nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe.
Bëhet me dije se një nga të arrestuarit, Ilir Lloshi është lënë i lirë për shkak se ishte arrestuar gabimisht. Raportohet se arrestimi i tij është ngatërruar për shkak se gjeneralitetet dhe vendbanimi ishin të njëjta me të personit që kërkohet nga SPAK si i dyshuar për trafik droge.
Ndërkohë janë lënë në burg Ermir Ndrejaj, Artur dhe Klevis Hoxhosmani, Erjon Alibej dhe Plarent Dervishaj. Këta dy të fundit janë tashmë në qeli dhe janë njohur aty me masën tjetër të arrestit, pasi po hetohen për disa vepra të tjera të rënda penale, si vrasje dhe atentate mafioze. Alibej është gjithashtu i penduar i drejtësisë dhe po zbardh detaje për disa nga atentatet mafioze më të bujshmë në vend.
Në kërkim në kuadër të këtij operacioni është shpallur në kërkim dhe Elidon Skëndaj. Ai njihet edhe me emrat Devid Patrut dhe Devid Boraj. Sipas raportimeve, dyshohet se Skëndaj është larguar jashtë vendit dhe strehohet në Dubai.
OPERACIONI I SPAK:
Prokuroria e Posaçme doli me njoftim zyrtar lidhur me aksionin për goditjen e trafikut të drogës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe. SPAK ka bërë me dije se nën hetim lidhur me aksionin janë 16 persona, ndërsa janë sekuestruar 6 ton kokainë me vlerë 411 milionë euro. Në njoftimin e SPAK thuhet se aktiviteti i këtij grupi të strukturuar kriminal për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike është bërë në disa episode të zhvilluara kryesisht gjatë periudhës 2020–2021.
Për fshehjen e drogës përdoreshin mënyra të ndryshme, si për shembull fshehje në paleta me dru (Belgjikë, Francë), kuti me banane (Holandë) dhe thasë me kokrra kakaoje (Rotterdam), duke e maskuar kështu si mall tregtar për të shmangur kontrollin doganor. Lidhur me organizimin e grupit kriminal thuhet se secili anëtar kishte role të specializuara, ndërsa në krye të organizatës qëndronin drejtuesit dhe financuesit të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat me drogë, por gjithashtu koordinonin rrugët, pikët e kontaktit dhe operacionet logjistike. Bëhet gjithashtu me dije se çdo komunikim mes tyre bëhej nëpërmjet një komunikimi të koduar, aplikacionit Sky/ECC, ku përdoruesit mbuloheshin pas pseudonimesh dhe kodeve PIN. Për kryerjen e pagesave, grupi kishte zbatuar një metodë të sofistikuar për të shmangur sistemin bankar tradicional: sistemin informal të pagesës Haëala.
Sipas SPAK, grupi kriminal kishte gjithashtu akses në infrastrukturën doganore përmes lidhjeve me individë të përfshirë në porte apo agjenci kontrolli në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

