Sport
Tragjedi në futbollin amerikan, ish-ylli i NFL ndahet nga jeta në moshën 38-vjeçare pas betejës me kancerin

Ish-lojtari i Philadelphia Eagles dhe kampioni i Super Bowl, Bryan Braman, ka ndërruar jetë në moshën 38-vjeçare.Lajmin e trishtë e ka konfirmuar agjenti i tij, duke bërë të ditur se Braman u nda nga jeta ditën e enjte. Ish-futbollisti, i cili ka luajtur edhe për Houston Texans, lë pas dy vajzat e tij, Blakely dhe Marlowe, përkatësisht 11 dhe 8 vjeç.Në një deklaratë të mëparshme, Braman kishte thënë: “Shtatë sezonet në NFL, fitorja në Super Bowl dhe vajzat e mia janë tre arritjet më të mëdha të jetës sime”.
Sipas një faqeje GoFundMe të hapur për të ndihmuar Bramanin me shpenzimet mjekësore, ai ishte diagnostikuar me kancer në shkurt të këtij viti. Faqja kishte arritur të mblidhte 88 mijë dollarë, ndërsa shumë ish-bashkëlojtarë kishin dhuruar, përfshirë edhe yllin e NFL, JJ Watt, i cili kontribuoi me 10 mijë dollarë.Sipas rregullores së NFL-së, lojtarët që përfitojnë statusin e plotë janë të mbuluar me sigurim shëndetësor vetëm për pesë vite pas tërheqjes. Sezoni i fundit i Braman ishte pikërisht në vitin 2017 – finalja e Super Bowl ndaj Patriots ishte ndeshja e tij e fundit profesionale.
“Pusho në paqe, vëlla,” shkroi JJ Watt në platformën X. “Ike shumë herët.”Braman nisi karrierën në NFL si lojtar i lirë (undrafted free agent) në vitin 2011 me Houston Texans, pas përvojave të tij në kolegjet Long Beach City College, Idaho dhe West Texas A&M. U dallua shpejt për lojën e tij të guximshme në formacionet speciale, madje ka hyrë në histori për një ndërhyrje pa helmetë, si dhe për aftësinë e tij për të bllokuar gjuajtjet e pantit.Një nga momentet më të paharrueshme erdhi me Eagles në vitin 2017, gjatë rrugëtimit drejt titullit, kur bllokoi një pant të Atlanta Falcons në fitoren 15-10 në fazën çerekfinale. Në finalen e madhe, ku Philadelphia mposhti New England Patriots 41-33, Braman regjistroi një ndërhyrje, duke kontribuar në fitoren historike të parë të Eagles në NFL që nga viti 1960.

