Bota
Tragjedi në Gazë/ Fëmijët vriten ndërsa kërkojnë ndihmë, Guterres thirrje për armëpushim të menjëhershëm

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka bërë thirrje urgjente për një armëpushim të menjëhershëm midis Izraelit dhe Hamasit, ndërsa situata humanitare në Rripin e Gazës po përshkallëzohet në mënyrë alarmante.
“Kriza në Gaza ka arritur përmasa të tmerrshme,” deklaroi Guterres, duke shtuar se edhe pse armëpushimi i fundit mes Izraelit dhe Iranit ofron një fije shprese, banorët palestinezë po vriten ndërsa përpiqen të sigurojnë ushqim për familjet e tyre.
“Kërkimi për ushqim nuk duhet të jetë kurrë një dënim me vdekje,” tha ai, duke iu referuar tërthorazi qendrave të shpërndarjes së ndihmës të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), një strukturë e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA, e cila po zëvendëson ndihmën e OKB-së në disa zona të Gazës.
Sipas OKB-së, të paktën 410 palestinezë janë vrarë që nga fundi i majit në afërsi të këtyre pikave të ndihmës të GHF-së. Organizata Botërore paralajmëron se operacionet që drejtojnë civilët drejt zonave të militarizuara përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe janë të papranueshme.
GHF u krijua nga Izraeli pas një bllokade totale disa-javore të Gazës, me qëllim që të anashkalonte shpërndarjen e ndihmave nga OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat Izraeli i akuzon se po lejojnë Hamasin të përvetësojë ndihmat humanitare. Hamasi, nga ana e tij, i ka mohuar kategorikisht këto akuza.
Guterres përsëriti tri kërkesa thelbësore të OKB-së për zgjidhjen e krizës:
Armëpushim i menjëhershëm dhe i qëndrueshëm,
Lirimi pa kushte i të gjitha pengjeve,
Akses i plotë dhe i papenguar humanitar në të gjithë territorin e Gazës.
“Ndihma humanitare nuk mund të jetë pjesë e një strategjie ushtarake,” përfundoi Guterres, duke i bërë thirrje të gjitha palëve që të vendosin jetën e civilëve mbi interesat politike apo ushtarake.

