Bota
Tragjedi në Itali/ Vdes nga i nxehti një fëmijë 4-vjeçar

Një fëmijë 4-vjeçar, djali i një çifti turistësh me origjinë moldave, ka ndërruar jetë pas një goditjeje të rëndë nga i nxehti në Olmedo, provinca e Sasarit.
Sipas hetimeve paraprake, vogëlushi është larguar nga banesa pa u vënë re nga prindërit që po pushonin dhe është futur në makinën e familjes, e parkuar nën diellin përvëlues.
Fëmija është gjetur pa ndjenja brenda automjetit, ku temperatura kishte kaluar 50 gradë Celsius. Ai është transportuar menjëherë në spitalin “Santissima Annunziata” në Sasar dhe më pas dërguar me urgjencë në spitalin “Gemelli” në Romë.
Megjithë përpjekjet mjekësore, ai ndërroi jetë mëngjesin e 11 gushtit, pas disa ditësh në koma për shkak të dëmtimeve të parikuperueshme në tru.
Prokuroria e Romës ka hapur një hetim për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme. Mjekët dhe ekspertët e shëndetit rikujtojnë rrezikun ekstrem të goditjes nga i nxehti, sidomos për fëmijët dhe theksojnë se nuk duhet lënë asnjëherë fëmijët vetëm në automjete, edhe për pak minuta.

