Aktualitet
Tragjedia/ Emigranti nga Durrësi, vetëvrasje në anijen hotel “Bibby Stockholm”
Dyshimi për vetëvrasje nga njëri prej 300 azilantëve që mbahen në anijen hotel “Bibby Stockholm”, pushtoi mediat britanike paraditen e së mërkurës.
Ministria e punëve të brendshme, Home Office e quajti një ngjarje tragjike duke mos treguar identitetin e viktimës.
Gazetari Muhamed Veliu nga një burim që ka dijeni të hetimeve që po kryehen, ka zbuluar se emigranti i cili i dha fund jetës të martën, në anijen hotel ku janë akomoduar azil-kërkuesit, e ankoruar në Dorset në jug-lindje të Anglisë, është shqiptar.
Ai është 27-vjeçari me inicialet L.F. i lindur në një fshat afër Durrësit.
Të afërmit e tij në Londër të hënën pritet të shkojnë në morgun e Dorset për të parë trupin e të ndjerit dhe njohur me rezultatin e pritshëm të autopsisë.
Top Channel mëson se i riu shqiptar mbërri në Angli me gomone në gusht të vitit të shkuar.
Pas qëndrimit disa ditor në Londër tek të afërmit, ai u dërgua nga Home Office për të jetuar në një hotel 6 orë larg kryeqytetit britanik.
Më pas ai iu bind kërkesës së Home Office për të jetuar në anijen hotel të marrë me qira nga qeveria angleze me synimin e uljes së kostove të akomodimit të azilantëve.
Top Channel ka zbuluar gjithashtu se i ndjeri në bisedat telefonike të zhvilluara me familjarët është shprehur se “kushtet në anijen hotel janë të mira, por emigrantët po trajtohen sikur të jenë kafshë prej rojeve të sigurisë”.
Ky është rasti i dytë në dy muajt e fundit, kur një azilkërkues shqiptar kryen vetëvrasje në qendrat shtetërore të emigracionit në Angli.
Në fillim të Nëntorit, Alfred Dosku 38 vjeç i dha fund jetës duke u vetëvarur me çarcaf në qendrën e mbajtjes së azilantëve Brook House afër aeroportit Gatwick.
Edhe ai kishte shkuar me gomone vitin e shkuar mes 12.800 bashkëkombasve të tjerë të cilën zgjodhën këtë metodë mbërritjeje nga Franca në shtetin ishull.
Qeveria britanike thotë se gjatë dy viteve të fundit ka dëbuar 5.000 shqiptarë pas qëndrimit ilegal apo refuzimit, të azilkërkimit, pasi Shqipëria u vendos në listën e vendeve të sigurta.