Kronike
Tragjedia në familjen shqiptare: Vrau gruan dhe veten, e shpërtheu shtëpinë me granatë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Zvicër, ku raportohet se bashkëshorti 42 vjeçar ka qëlluar me armë zjarri gruan e tij 38 vjeçare, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, ai i ka vënë flakën shtëpisë dhe nga forcat zjarrfikëse është gjetur dhe vet i vdekur.
“Albinfo.ch” raporton nga Zvicra se autori i dyshuar Ramiz Berisha nga komuna e Malishevës, kishte një të kaluar problematike me bashkëshorten e tij. Madje, gruaja rreth 38 vjeçe, kishte ngritur më parë padi për dhunë në familje ndaj tij.
Burri sapo kishte dalë nga burgu pas një dënimi të shkurtër për shkak të kësaj akuze, vetëm pak kohë para se të kryhej krimi tragjik. Çifti Berisha kishin katër fëmijë të mitur dhe jetonin në fshatin Epagny të Zvicrës. Ngjarja tragjike ka ndodhur mëngjesin e 10 prillit.
Një element tjetër shqetësues i zbuluar së fundmi është se gjatë incidentit, krahas armës së zjarrit, dyshohet se autori ka përdorur edhe një granatë. Ky detaj rrit dyshimet se ngjarja ka qenë e mirëplanifikuar dhe e përgatitur paraprakisht.
Po ashtu, burime pranë grupit të hetimit kanë konfirmuar se zjarri që shkatërroi shtëpinë ku u gjetën trupat e viktimave ishte ndezur qëllimisht nga vetë autori i dyshuar Ramiz Berisha, pas aktit të vrasjes së bashkëshortes.
Kjo tragjedi ka nxitur një debat të fortë në komunitetin lokal dhe në atë shqiptar rreth rëndësisë së reagimit të hershëm ndaj dhunës në familje dhe rrezikut real që ajo përbën për jetën e viktimave. Fatmirësisht, katër fëmijët e mitur nuk kanë qenë aty kur ka ndodhur ngjarja.

