Connect with us

Kronike

Tragjedia në Potam/ Prokuroria e Vlorës: Arjan Tase akuzohet për vrasje me dashje

Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet për ngjarjen tragjike të Himarës një vit më parë, ku vdiq tragjikisht 7-vjeçarja Jonada Avdia, pasi u përplas në det nga Arjan Tase, ish-shefi i komisariatit të Himarës. Prokuroria ka dalë në përfundimin se ngjarja ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit nga ana e drejtuesit të mjetit lundrues Arjan Tase të zonës së përcaktuar (kufizuar) për notarë si dhe manovrës së gabuar në drejtimin e mjetit. Arjan Tase akuzohet për veprën penale të “Vrasje me dashje” në mënyrë indirekte parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal;Hetimet janë përqendruar në institucionet përgjegjëse të ngarkuara për zbatimin e sigurisë në plazhe gjatë sezonit turistik dhe konkretisht Bashkia Himarë, Komisariati Himarë si dhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, duke u marrë në cilësinë e të pandehurve shtetasit:

Fatos Muka, me detyrë shef i sektorit të kufirit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Vlorë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës “parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

N.B., me detyrë shef stacioni në Stacionin e Policisë Kufitare, Dhërmi, në sektorin e kufirit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

L.A., B.M. dhe K.H., me detyrë trupa shërbimi në mjetin lundrues BP06, të ngarkuar me kotrollin e vijës bregdetare në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës“ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

A.D. me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Himarë, akuzuar për veprën penale të “Shperdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; dhe

B.A. dhe A.B., me detyrë përgjegjës dhe punonjës të Policisë Bashkiake në Bashkinë Himarë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal si punonjës që kanë kryer kontrolle periodike në vendin e ngjarjes.

Advertisement