Connect with us

Kosova

Trajkoviç: Katastrofike nëse Lista Serbe do mbijetojë politikisht

Këshilltarja politike e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç-it në Qeverinë e Kosovës, Rada Trajkoviç, ka thënë se do të ishte katastrofike për popullin serb në Kosovë nëse Lista Serbe do të mbijetonte politikisht.

Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, Trajkoviç ka pohuar se kjo parti – e dirigjuar nga Beogradi – “realisht kurrë nuk e ka pasur mbështetjen e popullit serb në Kosovë”.

“Lista Serbe ka marrë vota për shkak të shantazhit dhe terrorit që ka bërë ndaj serbëve. Ajo parti është degë e Aleksandër Vuçiçit, e cila u pranua nga liderët shqiptarë dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, sepse roli i vetëm i Listës Serbe ishte zbatimi i padiskutueshëm i të gjitha marrëveshjeve nga Brukseli përmes pjesëmarrjes në institucionet e Kosovës”, tha Trajkovic

E pyetur se çfarë do të ndodhë me Listën Serbe, për shkak të pjesëmarrjes së nënkryetarit të saj, kriminelit Milan Radojiçiç, në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ajo theksoi se kjo do të varet edhe nga qëndrimi i shtetit serb ndaj tij.

“Do të ishte shumë katastrofike për popullin serb në Kosovë dhe shtetin e Serbisë nëse Lista Serbe mbijetonte politikisht. Nëse Beogradi nuk e sanksionon Radojiçiç-in, fati i Listës Serbe dhe qeverisë së Vuçiç-it do të vuloset”.

Advertisement