Kosova
Trajkoviç ‘plagos’ Vuçiçin ‘në thembër’: Kundër Kushtetutës
Rada Trajkoviç, këshilltare në Qeverinë e Kosovës nga komuniteti serb, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në procesin e dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, ka pranuar integritetin territorial dhe simbolet kombëtare të Kosovës, përfshirë “krejt çfarë bie në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë”. “Vuçiçi ka pranuar integritetin territorial të Kosovës dhe veçoritë kombëtare të Kosovës. Ai ka pranuar gjithçka që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë” – deklaroi Trajkovic, duke iu referuar ofensivës së Bashkimit Evropian për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) për normalizimin e raporteve. Ajo ka thënë se presidenti serb është duke punuar në një dokument që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Serbisë dhe në çdo situatë normale do të duhej të mbarte pasojat. Trajkovic gjithashtu ka komentuar edhe draft-statutin “modern dhe evropian” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke kërkuar sqarime nga ekspertët ligjorë në Serbi. “Ku janë ekspertët për të shpjeguar se çfarë po ndodh me Kushtetutën e Serbisë? Ku është Kushtetuta e Serbisë? Nën betimin e Vuçiç? Në çfarë mënyrë do ta pranojë kushtetuta, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe?” – ka pyetur Trajkoviç, dhe ka shtuar se “instrumenti vetë-menaxhues” për serbët pritet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Emisarët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, nën mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë prezantuar një “plan të ri” në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe zbatimin e marrëveshjeve për normalizim midis dy vendeve, kurse Kosova dhe Serbia kanë dhënë pëlqimin e tyre dhe kanë pranuar të jetë kornizë për negociatat e mëtejshme. Vlen të përmendet se liderët e vendeve më të fuqishme të BE-së – Gjermania, Franca dhe Italia – nëpërmjet një deklarate të përbashkët, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të nisë urgjentisht procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kurse nga Qeveria e Serbisë kanë kërkuar njohjen de facto të shtetësinë e Kosovës.