Connect with us

Aktualitet

Transferta që zbuloi SPAK: Miliardat ishin të ‘Cosa Nostras’, Rezart Taçi do merrte 16%

SPAK dhe autoritetet homologe italiane finalizuan dy vite më parë një operacion që çoi në prangosjen e disa personave dhe sekuestrimin e mbi 18 milionë eurove, të cilat u bllokuan në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë.

Ato ishin nisur nga Italia dhe do pastroheshin në Shqipëri.

Në vendin tonë u arrestuan kunati dhe shoferi i biznesmenit Rezart Taçi, ndërsa në Itali të prangosur ishin disa.

Artur Balla dhe Bledar Lilo, kunati dhe shoferi i Rezart Taçi, janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Posaçme dhe janë dënuar të dy me 21 vite burg në total.

Ata janë shpallur fajtorë për “Pastrim parash”. Vetë biznesmeni është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ky rast është pasqyruar dhe në raportin vjetor të punës së Prokurorisë së Posaçme, ku tregohet rruga që ka ndjekur transferta e parave, të cilat rezultojnë se i përkisnin bandës mafioze famëkeqe italiane “Cosa Nostra”.

Pastrimi i parave nga organizatat kriminale ndërkombëtare

“Duhet cilësuar se, një nga skemat komplekse të pastrimit të parave është ajo e përdorimit të institucioneve shqiptare bankare, si vend tranziti dhe përdorimi i subjekteve tregtare shqiptare, si “ndërmjetëse” të pastrimit të parave nga organizatat kriminale ndërkombëtare, siç është rasti i mafias Italiane.

Përfaqësuesit e bizneseve të ligjshme shqiptare në rolin e “ndërmjetësve” profesionistë kanë ndihmuar në krijimin e aksesit në sistemin bankar shqiptar, i cili do të përdorej për të kryer “shtresëzimin” e transfertave bankare për të kaluar ato më pas në vende të tjera.

Rasti me tipik është ai i një individi, i cili pastronte para për llogari të Cosa Nostra në Itali. Skema e pastrimit të parave konsistonte në kalimin e parave nga fondacioni i themeluar prej tij me qendër në Lihtenshtajn, por me llogari bankare të çelur në Zvicër, shkruan Newsbomb.

Paratë fillimisht u transferuan nga llogaria e fondacionit në llogarinë e tij personale, po në të njëjtën bankë në Zvicër.

Prej aty, me lidhjet e krijuara me një shoqëri tregtare në Shqipëri, e cila luante rolin e “ndërmjetësuesit” profesionist, paratë do të vinin fillimisht në llogarinë e tij personale të çelur në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.

Me pas këto para do ti kalonin shoqërisë tregtare shqiptare, që merrej me tregtinë e karburanteve në formë huaje dhe kjo kompani do t’i transferonte në Hong Kong tek një shoqëri tjetër tregtare, që do të shërbente si “garantuese” për kryerjen e transanksioneve fiktive për blerje karburantesh. Për këtë shërbim shoqëria tregtare shqiptare do të përfitonte 16% (afërsisht 3 milion Euro) të vlerës së parave që do të pastroheshin”, thotë raporti.

Kontabilisti italian Fabio Petruzzella kishte vendosur më shumë se 18 milionë euro në një llogari bankare në Tiranë, për të shpëtuar këtë shumë parash nga konfiskimi në Itali. Kundrejt përfitimit në përqindje ai është ndihmuar nga Rezart Taçi. Në këtë skemë të madhe mashtrimi janë përfshirë në total katër shtetas të huaj, tre italianë dhe një zviceran.

SPAK ka kërkuar konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të shumës monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet një, pikë pesëdhjetë) Euro, ndodhur në llogarinë bankare në emër të Francesco Zummo, në Bankën Alpha, Tiranë, të sekuestruara gjatë fazës së hetimit paraprak nga Prokuroria e Posaçme.

Akuza e SPAK ndaj Taçit dhe të tjerëve

“Në përfundim të hetimeve paraprake lidhur me këtë procedim penal është arritur në përfundimin se të pandehurit Rezart Taçi, Artur Balla dhe Bledar Lilo, në bashkëpunim me shtetasit italian Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli dhe disa persona të tjerë, në bashkëpunim me njëri tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar një skeme komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.” (Newsbomb.al)

Advertisement

TRENDING