Connect with us

Kosova

Trazirat në Veri/ Ngjela: Kosova, shtet i pavarur s’mund të ndërhyjë askush

Autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur të premten pesë institucione paralele serbe në veri të vendit,  pjesë e banuar me shumicë serbe, njoftoi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi.

Ai tha se institucionet paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Në lidhje me këtë veprim të Qeverisë, ka pasur shumë reagime nga ndërkombëtarët duke mos u pajtuar dhe shprehur paknaqësi.

Për këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati shqiptar, Spartak Ngjela.

Ai tha se Kosova është shtet i pavarur shqiptar që nga viti 2008 dhe se askush nuk ka të drejtë të cenojë pavarësinë e një shteti të pavarur.

“Territori i shtetit të pavarur të Kosovës, nuk është shtrirje, por pavarësi juridike sipas kufijve të vendosur në Kushtetutën e Kosovës, e cila është njohur ndërkombëtarisht.

Kosova, që nga viti 2008, është një shtet i pavarur shqiptar.

Një shtet i pavarur që nuk e shtrin kushtetutën e tij, dhe, të gjithë sistemin ligjor, në tërësinë e tij territoriale, sipas kushtetutës së tij – ky shtet nuk është më një shtet i pavarur.

Prandaj, askush nuk ka të drejtë të cenojë pavarësinë e një shteti të pavarur”, u shpreh ai.

Më tej, Ngjela thekson që nëse një shtet i pavarur, ligjet që nxjerr duhet t’i formulojë me lejen e ndonjë autoriteti tjetër, ky nuk është shtet i pavarur. Ndër të tjera nënvizon që ligji i një shteti të pavarur është vullnet i popullit të vet.  “Ligji, sot në Kosovë, është ligj i shtetit të pavarur me emrin Repiblika e Kosovës, dhe ligjet e saj ka të drejtë ekskluzive që t’i nxjerrë vetëm Republika e Kosovës.  Nëse një shtet i pavarur, ligjet që nxjerr duhet t’i formulojë me lejen e ndonjë autoriteti tjetër, ky nuk është shtet i pavarur.

Kosova është shtet i pavarur me kushtetutën e saj.  Askush, përveç Kuvendit të Kosovës, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në formulimin edhe votimin e një ligji.  Sepse, ligji i një shteti të pavarur është vullnet i popullit të vet. Kjo është normë juridike universale për çdo shtet të pavarur”, përfundoi avokati Ngjela

Advertisement