Rajon
Tre ditë bisedime/ Vuçiç do tentojë bindjen
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se nga 9 deri më 12 qershori do të zhvillojë bisedime me serbët e Kosovës, teksa tensionet në veri po vazhdojnë.
Gjatë një adresimi në Beograd, ai foli shkurtimisht për situatën duke falënderuar serbët në veri, që sipas tij po luftojnë për të drejtat e tyre.
Në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – situata e sigurisë është përkeqësuar qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Emisari amerikan, Gabriel Escobar, dhe ai evropian, Mirosllav Lajçak, nga e hëna kanë zhvilluar vizita në Kosovë dhe Serbi, në tentim për të gjetur një zgjidhje për shtensionimin e situatës në veri.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë paraqitur tri kërkesa: qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja në këtë zonë si dhe kthimi në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.