Kronike
Tregu i punës është akoma “i zi ”

Tregu i punës në Shqipëri vuan nga informaliteti i lartë, si në punën e zezë ashtu edhe në ndeklarimin e pagave. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në draft-Strategjinë e re të Punësimit dhe Aftësive, vë në dukje se rreth 1/3 e punonjësve nuk deklarojnë të ardhura të plota nga punësimi, ndërkohë që punësimi informal në sektorin jobujqësor ishte 29% në vitin 2021. Gjithashtu gjysma e përfaqësuesve të biznesit kane deklaruar se punësimi i punëtorëve me kontrata që raportojnë vetëm pagën minimale është një praktikë e zakonshme.
Deklarimi i pagës minimale është mjaft i përhapur, sidomos në fabrikat ku shfrytëzohet krahu intensiv i punës. Industria tekstile, ajo ushqimore dhe sektori i ndërtimit deklarojnë paga minimale për punonjësit, edhe pse shpesh pagesat janë më të larta. Në mjaft raste, informaliteti në punësim shkaktohet jo vetëm nga mungesa e kulturës për pagimin e detyrimeve apo incentivave për pagesën e këtyre detyrimeve, por edhe për të shmangur deklarimet apo daljen nga skemat e mbrojtjes sociale, veçanërisht në rastet e punësimit sezonal, sikurse është punësimi në turizëm në zonat bregdetare dhe ato rurale.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se në vitin 2021, një çerek milion të punësuarish, ose 1 në çdo 5 persona të punësuar në Shqipëri, punon pa pagesë në biznesin e familjes. Në vitin 2021 rezulton se vetëm 47.9% të punësuarve, ose rreth 600 mijë nga 1.25 milionë ishin të punësuar me pagë, ndërsa pjesa tjetër janë punëtorë pa pagë që punojnë si të vetëpunësuar apo me familjet e tyre. Ministria e Financave parashikon se tranzicioni i ekonomisë nga bujqësia drejt industrisë dhe pritet të ulë gradualisht punësimin informal dhe pa pagë fikse.

