Ekonomi
Tregu nuk tërheq valutën, bie euro, dollari në nivelin më të ulët në nga marsi 2014
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 123.61 lekë, duke u ulur me 0.02 lekë në krahasim me ditën e mëparshme, duke zbritur në nivelin më të ulët që prej fillimit të muajit gusht. Euro është e dobët prej disa javësh në tregun vendas, ndonëse në tregjet ndërkombëtar ajo po këmbehet afër nivelit më të lartë në dy vjet e gjysmë kundrejt dollarit.
Edhe gjatë ditës së sotme, euro në bursa arriti afër 1.22 dollarë, duke u rritur me 0.35%, niveli më i lartë që nga prilli 2018, pas shpresave për stimuj të mëtejshëm dhe programi shtesë të blerjeve të obligacioneve të Rezervës federale të SHBA-ve.
Ndonëse në rritje në bursa, në tregun e brendshëm euro shënoi ulje të lehtë. Ndërsa nënçmimi i dollarit, për shkak të mos rritjes së euro, ishte edhe më i fortë në tregun e brendshëm, duke zbritur në 131.36 lekë, me rënie prej 0.39 lekësh, niveli më i ulët nga marsi 2014.
Aktorët e tregut pohojnë se dobësia e monedhës së përbashkët dhe dollarit lidhet me faktin që tregu nuk po arrin të tërheqë valutat, ndërsa oferta për to mbetet e larta dhe kërkesa është e ulët.
Burime nga banka e Shqipërisë pohojnë se këto kohë nuk ka pasur as veprime nga Ministria e Financave për shitjen e eurove dhe faktorët që kanë ndikuar lidhen me kërkesë ofertën në tregun e brendshëm.
Për shkak të krizës ekonomike të krijuar nga pandemia kërkesa për valutë mbetet e ulët. Në kahun tjetër, këtë vit nuk ka as prenotime për pushime jashtë vendit, duke qenë një tjetër faktor që ka ndryshuar kërkesën.
Sezonalisht fundi i vitit shoqërohej me një rënie të valutave, për shkak të rritjes së prurjeve të emigrantëve, por këtë vit ky faktor është i dobët, teksa Italia dhe Greqia ardhjet e emigrantëve janë të kufizuara për shkak të kufizimeve nga pandemia.
Monitor/