Connect with us

Shkrime

Tri shembuj për arrogancën e papërballueshme të një amerikani

Nga Andi Bushati

Me rastin e 5 vjetorit të SPAK, atij që në një farë mënyre mund të quhet si krijesa e tyre, zv sekretari amerikan i shtetit, Alexander Kasanof, erdhi në Tiranë të celebronte sëbashku me prokurorët e posaçëm dhe me krerët e drejtësisë në këtë vend.

Ndonëse një zyrtar në largim, si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit të shkuar, diplomati amerikan nuk e kishte lënë pas krahëve arrogancën tipike të të dërguarve të perandorisë në një provincë të humbur të saj.

Në afro tetë minuta fjalim ai dha së paku tre shembuj në formë, mesazh politik dhe imponim kushtetues, nga ato që hasen vetëm në republikat e bananeve.

Z. Kasanof e filloi fjalën e tij dikur rikujtuar medaljen që shefi i tij në krye të diplomacisë amerikane, i dha Altin Dumanit, në 9 dhjetor në Uashington, me motivacionin si kampion kundër korrupsionit.

Natyrisht, pavarësisht përkrahjes apo kritikave që mund të ketë gjithësecili, ky qe një vlerësim i amerikanëve për punën e këtij institucioni. Por, ama nga këtu e deri te cilësimi i këtij evenimenti si “një ditë e madhe për popullin shqiptar”, është një hendek i pakapërcyeshëm.

Me çfarë lehtësie një zyrtar tranzitor mund ta shpallë atë si ngjarje të veçantë për mbarë një komb? Të tilla mund të konsiderohen fitorja e një lufte, një datë çlirimi, nënshkrimi i një marëveshjeje të rëndësishme, si fjala vjen anëtarësimi në NATO apo në BE, por jo një ceremoni e lobuar politike.

A mund ta shpinte nëpër mend SHBA-ja ta bënte këtë me një vend di Franca, Italia apo qoftë edhe Hungaria, e jo më pastaj ta shpallte edhe ditë të madhe për ata popuj? Natyrisht që është e paimagjinueshme. Por, ajo ndodh nga menësia e të trajtuarit si turma delesh të popujve që magjepsen si indianët e dikurshëm nga dhurimi i pasqyrave.

Kjo qasje është pjellë e të njëjtit mentalitet me atë që e yshti ish ambasadoren Yuri Kim, të caktonte edhe se cilët ishin “heronjtë e fëmijëve tanë”. Sa do qesharake që të duket, ekzistojnë vërtet mbi këtë rruzull diplomatë të prekur nga sindroma e Lorencit të Arabisë, që besojnë se mund të përcaktojnë hierarkinë e vlerave të një shoqërie. Ky i sotmi ishte një rast tipik.

Por, këmbëngulja për të shpallur “një ditë të madhe për shqiptarët” është vetëm ana më sipërfaqësore dhe e padëmshme e fajlimit që mbajti Z. Kasanof. Më i rëndë qe fakti se në një ceremoni që i përkushtohej drejtësisë së pavarur, ai gjeti rastin të bëjë propagandë pro Edi Ramës.

Njësoj si sekretari Anthony Blinken, që kur vizitoi Tiranën nuk pati pikë droje ta etiketonte atë si “një udhëheqës të shquar” dhe “kryeministër shumë të mirë”, vartësi i tij u tregoi prokurorëve: “Dëshëroj të vlerësoj drejtimin e kryeministrit dhe qeverisë së tij që ka prodhuar një përparim të madh në reforma”.

A e dinte ai që teorikisht Edi Rama është i dyshuar në disa dosje të SPAK, që nga ajo McGonigal, koncesionet në shëndetësi, vendimarrja për inceneratorin e plot të tjera? A qe ky një mesazh adresuar spakistëve se të gjithë politikanët janë të barabartë, por ka disa që janë më të barabartë se të tjerët?

Për një shtet vërtet sovran kjo lloj arrogance duhet të qe e papranueshme. Vështirë se në ndonjë tjetër vend, anëtar të NATO-s, do qe toleruar mbledhja e njerëzve të drejtësisë për t’u thënë atyre se shefi i qeverisë është një personazh pozitiv, pra në thelb i paprekshëm.

Me të njëjtën shpërfillje që jepen sinjale për personazhe të paprekshëm, kushtetuta e këtij vendi trajtohet jo vetëm si e prekshme, por më keq, si një leckë e arrnueshme.

Kjo u pa në pjesën e fjalimit kur, me një lehtësi të papërballueshme, diplomati amerikan kërkoi një ndryshim në ligjin themeltar të shtetit, për të zgjatur qëndrimin në detyrë të prokurorëve të SPAK. Në nenin 184/d të kushtetutës përcaktohet shprehimisht se mandati i tyre është 9 vjeçar dhe i pa rinovueshëm.

Natyrisht hartuesit e reformës në drejtësi kanë pasur arsyet e veta që kanë vendosur kështu. Disa prej tyre mund të kenë pasur merakun për të mos i dhënë atyre fuqi të përhershme ekstraligjore. Për të mos i bërë të ndihen të paprekshëm dhe fuqiplotë. Për të mos krijuar në thelb një “republikë prokurorësh”.

Ndërsa tani, SPAK dhe Dumani pretendojnë se puna e tyre shkatërrohet po u ndërprenë mandatet. Se dëmtoihet vazhdimësia e hetimeve, përvoja e krijuar dhe në thelb, lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Çështja nga ana praktike dhe juridike mund të hajë diskutim. Disa mund të shqetësohen se SPAK-u dobësohet, ndërsa disa të tjerë se ai mund të ngrihet mbi ligjin. Pikërisht për këtë, dikush që reket të të japë një këshillë, mund të sugjerojë se ky diskutim duhet hapur, se argumentat pro dhe kundër duhen debatuar, e kështu me radhë.

Por në vend të kësaj, Z. Kasanof urdhëroi me një arrogancë të paparë: këtë duhet ta bëni. Pyetja që shtrohet është: pse në vend të këshillës miqësore, ai zgjodhi pozicionin dominant të një padroni? A mundet që në një vend normal të urdhërosh trajatimin e kushtetutës si një leckë? A mund t’i konsiderosh njerëzit aq idiotë, sa edhe tu predikosh se reforma në drejtësi është një histori suksesi, por njëkohësisht të kërkosh çdo pesë vite ndryshimin e rregullave të saj të lojës?

Në të tre këto raste nuk ka logjikë, por imponim; nuk ka dialog, por urdhër; nuk ka bshkëpunim, por forcë. Trajektorja e shkurtër, që nga predikimi se çfarë duhet quajtur ditë e madhe për një popull e deri tek mospërfillja për të përdhosur kushtetutën e tij, janë ilustrimi i një Amerike që nuk jep shembull përmes vlerave, por dominon nëprmjet frikës. Anën me të errët të kësaj superfuqie e shfaqi vetëm brenda tetë minutave, zyrtari i një administrate në largim.

Advertisement