Aktualitet
Tritol banesës së gjyqtarit/ Kamerat filmuan autorin e maskuar, Sterkaj nuk ndihmon hetuesit
Janë zbardhur detaje të reja nga shpërthimi me tritol i regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në banesë e gjyqtarit Tonin Sterkaj në Shkodër.
Burime për mediat pranë grupit hetimor bëjnë me dije se kamerat e sigurisë kanë filmuar autorin dhe momentin e hedhjes së lëndës plasëse.
Mësohet se bëhet fjalë për një person i veshur me rroba të errta dhe i maskuar në pjesën e sipërme të kokës. Ai vjen në këmbë, hedh sasinë e lëndës plasëse në oborrin e banesës së gjyqtarit Sterkaj dhe po ashtu në këmbë largohet sërish përmes rrugicave.
Ai mbetet ende i paidentifikuar nga grupi hetimor, teksa mësohet se po verifikohen kamerat e sigurisë në një rreze më të largët se vendi i ngjarjes për të lokalizuar autorin.
Gjyqtari Tonin Sterkaj, në dëshminë e dhënë, nuk e ka ndihmuar grupin hetimor për t’i dhënë një drejtim të qartë të hetimeve, pasi ai ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush mund të jetë autori apo porositësi.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 03:13 të mëngjesit në lagjen “Tom Kola” të qytetit verior. Si pasojë e shpërthimit nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Dyshimet e para të grupit hetimor janë se motivi i ngjarjes lidhet për shkak të detyrës së gjyqtarit Tonin Sterkaj. Ai është gjyqtar pranë Gjykatës së Shkalles se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
Njoftimi i Policisë së Shkodrës:
“Rreth orës 03:13, në lagjen “Tom Kola”, Shkodër, tek porta e oborrit të banesës së shtetasit T. S., 62 vjeç, (me detyrë Gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër) është hedhur lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin në zonë.
Ndërkohë grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.”