Kronike
Tritoli i vendosur ndaj fasadës së lokalit në Fushë Krujë, kapet bashkëpunëtori i autorit

10 ditë pas ngjarjes së ndodhur në Fushë Krujë ku iu vendos tritol fasadës së një lokali, është arrestuar njëri nga autorët. Policia thotë se është identifikuar autori kryesor i vendosjes së lëndës eksplozive dhe vijon puna për kapjen e Mirgen Zalla, 40 vjeç, ndërsa ka rënë në pranga bashkëpunëtori, Mondi Topalli.
40-vjeçari dyshohet se ka vendosur lëndën plasëse në lokalin e shtetasit B. T., dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e shtetasit të arrestuar.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Mirgen Zalla shërbimet e Policisë kanë gjetur e sekuestruar një armë gjahu pa leje, një armë sportive dhe municion.
Policia ka publikuar sot edhe pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë në momentin që i vendoset tritol biznesit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

