Aktualitet
Tritoli nga Dumani? Njëra nga motrat Nikolla dëshmoi në SPAK para ngjarjes, Hoxha zbulon detaje nga dëshmia
Ngjarja e rëndë që ndodhi përpara ditësh në Elbasan, me tritolin që shpërtheu në hyrjen e dy motrave Nikolli, ku ngeli i plagosur rëndë edhe fqinji i tyre, duket si diçka e organizuar, siç thotë gazetari Artan Hoxha.
Ai shprehet se kjo mund të jetë përdorur për të dëmtuar Nuredin Dumanin, por nuk është e habitshme nëse këtë akt e ka urdhëruar ky i fundit.
“Nëse i vëmë re tre ngjarjet e ditëve të fundit, pra ngjarja e Memaliajt, ngjarja e Gramshit dje, ngjarja e Pogradecit dhe ngjarja e Elbasanit, të gjitha kanë pasur dëme anësore, ose më saktë ka pasur dëme te njerëz të pafajshëm. Në Pogradec ishin pastrueset e bashkisë, jeta e tyre u rrezikua. Në Gramsh ndodhi në rrugën kryesore të qytetit. Në Memaliaj ne pamë që u vra një kamarier, një njeri që shyqyr ka qëndruar në atë qytet që të punojë.
Nuredin Dumani është një personazh që mori shumë rëndësi që nga viti 2022 e mbrapa. Është kthyer sot në bashkëpunëtorin numër 1 të drejtësisë shqiptare, për shkak të krimeve që ai ka marrë pjesë. Dhe ai ka një numër të madh krimesh që ka qenë direkt. Pra ne nuk kemi një vrasës me pagesë, por kemi brigadierin e një skuadre vrasësish me pagesë, i cili merrte porosi nga jugu, nga veriu dhe qëndronte në Kosovë.
Në rastin konkret, njeriu i kthyer në bashkëpunëtorin, ose thesarin do e quaja unë të SPAK-ut për hetimet e fundit, del i përfshirë në një situatë tjetër. Vendoset eksplozivi dhe rrezikohet jeta, se akoma nuk është jashtë rrezikut personi që mbeti i plagosur në Elbasan, por menjëherë mbas ngjarjesh çfarë ka ndodhur. Ndërsa dy motrat Nikolli kanë shkuar të japin deklarimin në policinë e Elbasanit, menjëherë nga Tirana kanë shkuar pjesëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe kanë bllokuar çdo veprim të policisë së Elbasanit. I kanë thënë: “Stop, ndërpritini të gjitha”, sepse e ka marrë SPAK-u.
Në pistat e SPAK-ut, kjo ngjarje mund të jetë edhe e organizuar për t’i dëmtuar besueshmërinë Dumanit dhe për të bërë atë që thonë mbi statusin, status të cilin ai, për shkak se ka qenë vetë i pasinqertë, duhet ta kishte humbur.
Njëra nga motrat Nikolli e ka njoftuar SPAK-un se është e kërcënuar nga filan person dhe i rrezikohet jeta. Pesë ditë para. Që të nesërmen e ngjarjes ka shkuar SPAK-u, e ka marrë SPAK-u si çështje. Mua nuk më duket farë çudi që Dumani është i përfshirë. Nëse atij i lë pak mundësi, ai e tregon veten. Mënyra se si ai komunikon jashtë, tregon që ata që i kanë treguar garanci, duhet të kenë kujdes. Nuk është Dumani që meqë ka treguar atje, ka ndryshuar sjelljen, jo, ai është i gatuar në atë formë. Është një njeri që ka kallëzuar dhe vëllanë e vet. Ai është në këto kushte që po i dhe liri, e shfrytëzon shumë mirë”, u shpreh Hoxha.