Politike
Triumfi i Mamdanit goditje për Trump?/ Bushati flet për “rrezikun” e modelit Mamdani: Mund të rrisë Trump-in nëse…
Andi Bushati, ka folur për zgjedhjen e socialistit, Zohran Mamdani si kryebashkiak i New York.
Bushati tha se edhe pse zgjedhja e tij shihet si një goditje për Trump, nëse Mamdani do të dështojë me premtimet e tij të majta, gjë që ka mundësi të ndodhë pasi është i rrethuar nga “establishmenti oligarkik”, kjo do të forconte populistët dhe për rrjedhojë Trumpin.
“E majta u fut në një krizë të thellë. Hoqi kontradiktën klasore, u mundua të bëhej mbrojtëse e homoseksualëve, minoriteteve, për të shmangur kontradiktën, të pasur dhe të varfër. Prandaj e majta u fut në krizë. Mamdani, është ardhje në fondamentin e të majtës, që e majta perëndimore dhe sidomos amerikane e ka tradhtuar, kthimi në kontradiktën klasore, të pasur dhe të varfër.
Po ti thoshte njeri këtu te ne, ato që thotë Mamdani atje, do të thoshin u ngjall Enver Hoxha. Thotë të bëjmë dyqane komunale, për të varfërit, të bëjmë çerdhe për fëmijë që nuk i mbajnë dot prindërit që shkojnë në punë, transport publik falas dhe paratë do ti marrim duke taksuar milionerët. Është kthyer në thelbin e të majtës.
Kemi parë nga Tsipras në Greqi dhe deri te Corbyn në Angli, që ky kapitalizëm oligarkik, këto tentativa mundohet ti vdesë.
Mundet i rrethuar nga një establishment oligarkik, të realizoje premtimet majtiste? Mundësitë janë të vogla. Tradhtimi i kauzës për të cilën është votuar, mund të rrisë Donald Trump. Një e majtë që premton, por pastaj nuk ka fuqi dhe nuk realizon dot, fitojnë populistët e modelit Trump. Kjo është e mira por edhe rreziku i modelit Mamdani”, tha Bushati.