Connect with us

Kosova

Troccaz kërkon stabilizimin e situatës në Veri të Kosovës

Emisari Special i Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daciç, ku kanë diskutuar për rrjedhën e tensionuar në raportet midis Kosovës dhe Serbisë dhe procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në njoftimin e MPJ-së së Serbisë pas takimit, thuhet se diplomati francez ka theksuar se kur bëhet fjalë për pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, qëllimi kryesor duhet të jetë “stabilizimi i situatës” dhe “normalizimi i marrëdhënieve”, dhe ka përsëritur mbështetjen e Francës për procesin e “integrimit evropian” të Serbisë dhe rajonit.

Lidhur me situatën e tensionuar në veriun e Kosovës, shefi i diplomacisë serbe, sipas njoftimit të MPJ-së së Serbisë, ka thënë se prioriteti i palëve duhet të jetë deeskalimi i situatës dhe zbatimi i Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksi i Implementimit (Ohër, 18 mars), përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Franca ka emëruar diplomatin Troccaz të dërguar të posaçëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor, teksa emërimi i tij është përfshirje e shtuar të Francës në rajon, përfshirë procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në sfondin e zgjerimit të BE-së.

Advertisement